Vendet e BE-së vështirë të dakordohen për dy mega-pako financiare

Gjatë tërë ditës, deri në orët e vona të mbrëmjes, liderët e 27 shteteve të Bashkimit Evropian kanë bërë përpjekje për të rënë dakord lidhur me dy pako të mëdha financiare, nga të cilat do të varet edhe e ardhmja e vetë bllokut.

Ata janë duke u angazhuar për të arritur marrëveshjen për kornizën shumëvjeçare financiare për periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2028, dhe për një fond prej 750 miliardë eurosh të rimëkëmbjes nga pasojat e krizës së shkaktuar nga koronavirusi.

Ky samit konsiderohet si historik, pasi dështimi i tij mund të vonojë fillimin e rimëkëmbjes ekonomike të Evropës.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, vendi i së cilës ka kryesimin e radhës të BE-së, e ka quajtur këtë si krizën më të madhe në historinë e Bashkimit Evropian.

Por gjatë tërë ditës nuk ka pasur lëvizje nga pozicionet e forta që kanë liderët e disa shteteve anëtare, të cilat janë pengesë për arritjen e marrëveshjes.

Shtetet e të ashtuquajturit “grup i koprracëve”, e ku përfshihen Holanda, Austria, Danimarka dhe Suedia, kërkojnë që edhe buxheti e edhe fondi i rimëkëmbjes të jenë më të vogla. Madje, edhe po të pranojnë që ai të mbetet në këtë nivel, këto vende kërkojnë që kriteret për përdorimin e tyre të jenë më të ashpra dhe që vendimet për miratimin e programeve të merren në Këshill me konsensus. Ato po ashtu duan që përdorimi i mjeteve të lidhet edhe me respektimin e parimit të sundimit të ligjit.