Interesimin e Telekomit të Serbisë për blerjen e IPKO-s, ARKEP e kuptoi nga mediat

Ende asgjë zyrtare nuk ka për blerjen e operatorit IPKO nga Telekomi i Serbisë. Kështu ka thënë anëtari i Bordit të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Shqipërim Pula, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Ekonomi dhe Tregti.

Ai ka theksuar se për një proces të negociatave ndërmjet Telekomit të Sllovenisë dhe atij të Serbisë janë njoftuar nga mediat.

“As edhe njoftim zyrtar ne si ARKEP nuk kemi për atë që është thënë në media. Por, nevoja e ndërhyrjes së shtetit është e nevojshme, gjithnjë për sigurinë kombëtare. Unë personalisht nuk do ta nënshkruaja një licencë të tillë”, tha ai.

Reklama e sponzorizuar

Derisa Pula ka thënë se këto raportime në media mund të jenë edhe spekulim, tha se nga 5 korriku ka filluar procesi i shitjes së IPKO-s.

“Nëse ndodhë një dyshim i subjektit vjen kah ne, por meqë neve s’na ka ardhur asnjë njoftim zyrtar, ne s’kemi kërkuar informata zyrtare nga IPKO”, tha ai.

Anëtari i Komisionit, Hekuran Murati tha se papërgjegjësia e ARKEP është pasi nuk ka kërkuar zyrtarisht procedurat për shitjen e këtij operatori, në këtë rast të IPKO-s.

Pula ka thënë se ka takuar zyrtarë të Qeverisë për atë që ka qarkulluar në media lidhur me interesimin e Telekomit të Serbisë për IPKO. Ai ka thënë se Bordi i AKREP-it ka mandat për vendimmarrje.