Krasniqi akuzon ARKEP-in se nuk po bën gjë për parandalimin e shitjes së IPKO-s te Telekomi i Serbisë

Anëtari i Komisionit për Ekonomi, deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, ka akuzuar bordin e ARKEP-it se nuk ka bërë asnjë hap zyrtarisht për të parandaluar shitjen e IPKO-s te Telekomi i Serbisë.

Krasniqi ka fajësuar ARKEP-in se nuk e ka ftuar ende IPKO-në të raportojë për këtë proces.

Ai ka cilësuar këtë proces si një prej problemeve më të mëdha që po i shfaqet Kosovës që nga paslufta.

Reklama e sponzorizuar

“Ju jeni takuar me kryeministrin vetëm pasi ai ka shprehur interesim. Bash asgjë s’jeni duke bërë në këtë drejtim ose s’keni marrë asnjë hap. Keni pas të drejtë të ftoni edhe IPKO-në për këtë pasi po besoj edhe janë të obliguar t’ju raportojnë. Kështu që ju edhe nuk guxoni të votoni pro shitjes së IPKO-s Serbisë. Ju edhe të votoni, ne do ta shfuqizojmë atë vendim. Sepse ju jeni bord i votuar nga Kuvendi”, tha Krasniqi gjatë raportimit të bordit të ARKEP në Komisionin parlamentar për Ekonomi.