Qeveria Haradinaj “shterr” Fondin rezervë të shtetit për realizim filmi e subvencione për Federatën e Xhudos

Gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ishte përfolur për shpenzime të mëdha nëpër projekte të ndryshme e tkurrje të buxhetit të shtetit vend e pa vend.

Kësaj tkurrjeje nuk i kishte shpëtuar as edhe Fondi rezervë i shtetit apo Fondi i shpenzimeve të paparashikuara, i cili sipas Ligjit mund të shfrytëzohet vetëm në raste emergjente dhe kur rastet në fjalë janë të paparashikuara, përcjell Buletini Ekonomik.

Auditori i Përgjithshëm në raportin e tij, publikuar së fundmi për Ministrinë e Financave ka gjetur disa shkelje, me ç’rast ka vërejtur se 373 mijë euro kanë shkuar për tri raste që s’kanë qenë urgjente dhe që mund të planifikoheshin me buxhetin e rregullt të kësaj ministrie.

Reklama e sponzorizuar

Shpenzimet në fjalë kishin të bënin me ndarjen e mjeteve financiare në vlerë të 180 mijë eurove për përkrahjen e realizimit të filmit ,,Lojë Jete’’, kurse 143 mijë eurot e tjera për ndarjen e mjeteve financiare sipas kërkesës së Federatës së Xhudos së Kosovës, si dhe 50 mijë euro ishin ndarë për një rast për mbulimin e shpenzimeve për shërim jashtë vendit.

Si pasojë e kësaj, shpenzimi i mjeteve nga fondi i shpenzimeve të paparashikuara të cilat janë të përcaktuara për raste urgjente, për projekte të cilat duhet të planifikohen në buxhetin e rregullt, si dhe në mungesë të procedurës së kërkuar për aplikim në MF, rrezikon që Ministria e Financave të përballet me mungesë të buxhetit për trajtimin e situatave të paparashikuara (urgjente), sipas Auditorit.

Zyra Kombëtare e Auditimit në fund shton se “mjetet nga rezervat, duhet të ndahen vetëm për raste të paparashikuara (urgjente), në pajtueshmëri me procedurat e kërkuara sipas LMFPP”.

Ndryshe, sipas Ligjit nr.03/L-48, Neni 29, për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, përcaktohet se nëse ndodhë një rast për të cilin nevojiten shpenzime urgjente ose të paparashikuara, organizata përkatëse buxhetore mund të aplikoj pranë Ministrit të Financave për fonde shtesë, por me kusht që të shpjegohen arsyet pse këto rrethana nuk kanë mundur të parashikohen me buxhetin e rregullt. /Buletini Ekonomik/