LinkedIn do të shkurtojë 6% të forcës së punës për shkak të pandemisë

LinkedIn do të shkurtojë rreth 960 vende pune – rreth 6% të forcës së saj të punës – pasi pandemia e koronavirusit ka dhënë efekte në tregun e punës.

Faqja e rrjetit profesional “nuk është imune nga efektet e pandemisë globale” – shkroi CEO i LinkedIn, Ryan Roslansky në një letër drejtuar stafit në platformë. Ai shtoi se LinkedIn është goditur “pasi pak kompani, duke përfshirë tonën, kanë nevojë të punësojnë me të njëjtin volum pune si më parë”.

“Dëshiroj që të dini se këto janë të vetmet shkurtime që po planifikojmë” – shkroi Roslansky, i cili shtoi se kjo do të ndikojë te shitjet globale dhe te njësitë e blerjes së talenteve në LinkedIn.

Vetëm në Shtetet e Bashkuara, janë zhdukur të paktën 3.7 milionë vende pune, për shkak të pandemisë. Shumë kompani të mëdha teknologjike e kanë shmangur peshën e pasojave të pandemisë, pasi nevojat për punë nga shtëpia në të gjithë botën krijojnë një kërkesë më të madhe për produktet e tyre.

Por modeli i biznesit të LinkedIn vërtitet të ndihmojë njerëzit të kërkojnë punë, të lidhen me profesionistë të tjerë dhe të ndërtojnë CV-në e tyre. Gjithë këto karakteristika kanë humbur vlerë, ndërkohë që kompanitë shkurtojnë vendet e punës dhe ngrijnë punësimet e reja.

Roslansky, i cili u emërua CEO në qershor, pasi më parë ishte në rolin e zëvendëspresidentit, deklaroi që personelit të pushuar nga puna do t’i ofrohen të paktën 10 javë pagë, pas pushimit. Punonjësit amerikanë do të marrin siguracion shëndetësor për gjithë vitin tjetër. Ai shtoi se disa prej punonjësve mund të pozicionohen në role të reja të krijuara.

“Ky është një moment i dhimbshëm për organizatën, por si një kompani me një vizion kaq të guximshëm, duhet të marrim vendime të vështira” – tha Roslansky.

*Hadas Gold,
Burimi: CNN