Airbnb, 1 milion net të prenotuara për një ditë

Kompania e dhënies së shtëpive me qira, Airbnb, tha të martën se përdoruesit e saj kanë rezervuar më shumë se një milion net në mbarë botën më 8 korrik. Ky është sinjali i parë i rimëkëmbjes pas ngadalësimit të prenotimeve gjatë pandemisë COVID-19.

Pjesa më e madhe e prenotimeve janë udhëtime që do të nisin më 7 gusht ose më parë, tha kompania – duke shtuar se kjo është hera e parë që arrin 1 milion rezervime në një ditë që nga 3 marsi. Airbnb tha se kjo ka ardhur, pjesërisht, prej rritjes së kërkesës, me destinacione të përballueshme dhe më të afërta që përbëjnë pjesën më të madhe.

Rezervimet në datën 8 korrik janë bërë në struktura të Airbnb në më shumë se 175 vende dhe rajone të ndryshme.
Rreth gjysma e netëve të prenotuara janë në destinacione brenda 300 miljeve nga vendndodhja e përdoruesit, ndërsa dy të tretat për destinacione jashtë qytetit. Më shumë se 60 për qind e prenotimeve janë për turistë që udhëtojnë vetëm ose me një person tjetër.

Reklama e sponzorizuar

“Ne në Airbnb besojmë se dëshira e njerëzve për t’u lidhur dhe për të qëndruar bashkë të sigurt është bërë më e fortë kur kemi qenë larg. Aktiviteti ynë nuk është rimëkëmbur, por shohim sinjale shpresëdhënëse” – thotë kompania në deklaratën ku publikon të dhënat.

Për shkak të pandemisë, miliona turistë anuluan udhëtimet e pushimeve, udhëtimet për punë dhe vizitat familjare, duke detyruar kompaninë të pezullojë aktivitetet e marketingut për vitin në vazhdim dhe të reduktojë me 25 për qind forcën e punës.

Burimi: Reuters