Hoti: Për një muaj e rikthyem Kosovën aty ku e ka vendin

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se për një muaj ia kanë dalë të kthejnë Kosovën aty ku e ka vendin, pranë miqve të saj. Hoti e ka thënë këtë derisa ka folur të premten para Kuvendit të Kosovës lidhur me bisedimet me Serbinë.

“Unë kam përgjegjësi në këtë proces. Do t’iu mbaj të informuar gjatë gjithë kohës dhe do të jem llogaridhënës karshi jush. Por nuk do të rri duarkryq dhe nuk do të qahem para jush duke u ankuar për teori konspirative me harta e thika apo me komplote për ndarje territori. Do të ushtroj autorizimet e mia kushtetuese pa interferim nga askush. Kam caktuar koordinatorin shtetëror për dialog në përputhje me platformën. Unë i besoj atij”, ka thënë Hoti.

Sipas tij dialogu nuk ka alternativë. Ai llogarit në ndihmën e miqve të Kosovës për të arritur qëllimin. Gjatë procesit, të cilin e ka quajtur të vështirë, Hoti ka thënë se do të besohet në miqtë, ashtu si është besuar kur ata mbështetën çlirimin dhe pavarësimin.

Reklama e sponzorizuar

“Kohëve të fundit në skenën politike po dëgjohen zëra që po vënë në pikëpyetje pozicionin e shtetit të Kosovës karshi këtij procesi. Askush nuk duhet të trazohet nga normaliteti që po ndërtojmë, është në të mirën e të gjithëve. Për vetëm një muaj e rikthyem Kosovën aty ku e ka vendin, pranë miqve tanë. Nga një raport i lënduar me BE dhe SHBA, tani kemi mbështetje nga të gjithë për cakun e dialogut që është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve. Për vetëm një muaj ne hoqëm nga çdo diskutim temën e integritetit territorial të Kosovës të cilën më nuk e përmend askush. Ne e thyem izolimin politik dhe diplomatik të Kosovës, me vendosmëri dhe guxim evituam rrugën qorre dhe e morëm përgjegjësinë shtetërore në dialog. Këtë e bëmë pa hezitim”, ka theksuar Hoti.