Rritet çmimi i naftës pasi BE-ja bie dakord për buxhetin

Çmimet e naftës së papërpunuar shënuan rritje pasi udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) ranë dakord për buxhetin dhe paketën e ndihmës së koronavirusit të ri (COVID-19), e cila ofroi shpresë se konsumi i naftës në kontinent do të rritet për pjesën e mbetur të vitit,

Standardi ndërkombëtar i naftës së papërpunuar Brent u tregtua me 43.50 dollarë për fuçi në mëngjes me një rritje prej 1 për qind pas mbylljes të hënën në 43.20 dollarë për fuçi.

Standardi amerikan West Texas Intermediate (WTI) ishte në 41.08 dollarë për fuçi në të njëjtën kohë, me një rritje prej 0.6 për qind pasi përfundoi seancën e mëparshme me 40.83 dollarë për fuçi.

Reklama e sponzorizuar

Pas katër ditësh bisedimesh intensive, sot herët liderët e BE-së ranë dakord për një buxhet shtatë-vjeçar prej 1.074 trilionë euro (1.23 trilion dollarë) në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2027 dhe për një fond prej 750 miliardë euro (858 miliardë dollarë) të koronavirusit për të siguruar lehtësim për vendet e BE-së që janë prekur më së shumti nga COVID-19.

Investitorët shprehën shpresë se paketa e lehtësimit do të rimëkëmbë ekonominë evropiane dhe do të rrisë konsumin e naftës në kontinent për pjesën tjetër të vitit 2020, si dhe do të nxisë rritjen e çmimeve të naftës së papërpunuar.

Megjithatë, konsumi global i naftës mbetet ende i dobët, pasi sipas të dhënave më të fundit nga Universiteti amerikan Johns Hopkins numri i rasteve COVID-19 në të gjithë globin ka arritur në 14.7 milion.

SHBA vazhdon të kryesojë me numrin më të madh të rasteve të konfirmuara, respektivisht me 3.8 milion raste COVID-19, e ndjekur nga Brazili me 2.1 milion raste dhe India me 1.1 milion raste.