Të rinjtë hezitues karshi mësimit në distancë

Për Andi Hasanin, nxënës i klasës së njëmbëdhjetë në gjimnazin “Frank Bardhi” në Mitrovicë, mësimi në distancë nuk ka qenë shumë efektiv.

“As mësimdhënësit e as nxënësit nuk e kanë dhënë 100 për qindëshin e tyre”, tha ai.

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur më 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Reklama e sponzorizuar

Shkollat pastaj filluan mësimin në distancë. Për klasat 1-9, mësimi është realizuar nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik si dhe përmes kanalit të Ministrisë së Arsimit në YouTube, ndërsa në nivel të shkollave të mesme të larta, mësimi në distancë është zhvilluar në mënyrë të decentralizuar, ku mësimdhënësit ishin bartësit kryesor të mësimit në distancë.

Se si do të jetë në shtator, ende nuk dihet dhe kjo do të varet nga situata epidemiologjike në Kosovë.

Andi mendon se nëse vazhdon rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus, sikurse edhe është duke ndodhur aktualisht, më mirë do të ishte që mësimi të vazhdojë nga distanca.

“Mendoj se në shtator nuk është ide e mirë të kthehemi në shkollë nëse vazhdon të jetë numri i të infektuarve në rritje, pasi klasat i kemi të vogla dhe jemi rreth 30 nxënës në klasë. Ndonëse ka qenë joefektiv mendoj se jetën nuk duhet rrezikuar”, tha ai.

Drita Azemi
Drita Azemi

Vështirësi gjatë vijueshmërisë së procesit arsimor ka pasur Drita Azemi, poashtu nxënëse e klasës së​ 11 në shkollën e mesme të muzikës ‘’Prenk Jakova’’ në Prishtinë. Ajo studion drejtimin e pianos.

“Në shkollën që shkoj unë ka qenë pak vështirë, pasi që shkolla e muzikës është ndryshe kur je në klasë dhe dëgjon melodinë dhe është ndryshe online. Unë studioj pianon, dhe kur je me profesoreshën dhe ke pianon afër është ndryshe, derisa përmes mësimit online, për shembull kur interneti nuk ka qenë i mirë, humb melodia, dhe është e vështirë me të përcjellet”, tha ajo.

Ndryshe nga Drita dhe Andi, që kanë vijuar mësimin në shkolla publike, Oketa Mustafa, ka përfunduar klasën e 10 të shkollës së mesme private ‘’QSI’’ (Quality School International).

Kjo shkollë sipas saj, ka qenë mirë e përgatitur për mësim online.

“Ata e kanë parë situatën, qysh në fillim dhe plan-programi ka vazhduar normalisht, vetëm se online. Kanë qenë shumë të përgatitur për këtë situatë. Ne si nxënës nuk kemi pasur presion, dhe e kanë vlerësuar shumë punën tonë në shtëpi, dhe besoj ja ka vlejtë’’, tha ajo.

Oketa Morina
Oketa Morina

Por, Oketa thotë se në fillim, kur u desh të karantinohej, ka qenë goxha e vështirë. Mbyllja brenda mureve të shtëpisë thotë se ja krijonte një ndjenjë të pasigurisë.

Por, me kohë gjithçka kaloi në normalitet.

‘’Fillimi ka pasur shumë ndryshime, si me familje, si me shoqëri. Por, pastaj u mësuam. Me familje më ka ofruar shumë dhe nuk e kisha kthy kohën. Koha e kaluar me prindërit dhe motrën e vogël, për të cilën edhe kujdesesha ka qenë periudhë që nuk do ta harroj kurrë, se ndryshe nuk do e kisha atë mundësi dhe kohë ta kaloja me ta, për shkak të obligimeve që kemi secili prej nesh’’, tha ajo.

Ajo që i ka munguar Dritës më së shumti ka qenë shoqëria. Thotë se asnjëherë nuk e kishte paramenduar jetën në këtë moshë, e ndarë nga shoqet e shokët, me të cilët e kalon pjesën më të mirë të kohës.

‘’Si eksperiencë ndoshta ka qenë e mirë, të shoh si është të qëndroj vetëm në shtëpi dhe si është të jetoj më ndryshe se çdo ditë. Por, mungesa fizike me shokë e shoqe të dërrmon’’, thotë ajo.

Ekspertë të arsimit në Kosovë mendojnë se mësimi në distancë nuk arriti të realizojë objektivat e duhura.

Megjithatë, ata e shohin si një proces të domosdoshëm që është dashur të ndodhte, pasi që sikur të mos arrihej të realizohej dëmet në edukim do të ishin më të mëdha.