Qeveria mbulon shpenzimet e Kartonit të Gjelbër

Ministria e Financave dhe Banka Qendrore e Kosovës kanë publikuar sot vendimin për heqjen e Kartonit të Gjelbër për bashkatdhetarët tanë deri në fund të këtij viti.

Me këtë vendim, qeveria siguron mjetet financiare për mbulimin e shpenzimeve të Kartonit të Gjelbër për diasporën për këtë vit.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se remitencat që kanë ardhur në Kosovë janë rreth 7 për qind më të larta, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ajo ka thënë se deri më tani janë 433 milionë euro që kanë ardhur nga diaspora, derisa e ka cilësuar si kontribut të jashtëzakonshëm.

Bajrami ka thënë se primi i sigurimit që e kanë paguar në kufi nuk ka qenë kosto e madhe për ta, por shton se ka qenë maltretim met ë cilin janë përballur në kufi

‘Bashkatdhetarët tanë mund ta marrin primin online në faqen e Byrosë Kosovarë të Sigurimeve dhe ata do t’i kalojnë pritjetet e gjata në kufi. Në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do të ndahen mjete për zbatimin e këtij vendimi”, ka thënë ajo

Guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti, ka thënë se janë ulur tarifat por policat kufitare për masën 35 për qind për autoveturat dhe motoçikletat.

Ai ka thënë se kjo është për lehtësimin e ardhjes së bashkatdhetarëve, derisa ka shtuar se ata duhet të pajisen me polica online.

Mehmeti ka thënë se Qeveria merr për obligim që të mbulojë 100 për qind policën e sigurimit për bashkatdhetarët.