Ceremonia e Hotit e Hazirit në Gjilan, do të ndërtohen vetëm 3 km rrugë me kosto 3.9 milionë euro

Sot në Gjilan ka nisur ndërtimi i hyrje-daljes katër korsi të rrugës Gjilan-Prishtinë me gjatësi tre kilometra që do të kushtojë 3.9 milionë euro, njofton komuna e Gjilanit.

Ky projekt financohet nga BERZH’I nën garantimin e qeverisë së Kosovës.

“Në Komunën e Gjilanit ka nisur sot pjesa e parë e projektit jetik të rrugës katër korsi Gjilan-Prishtinë, i cili financohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, nën garantimin e Qeverisë së Kosovës, në gjatësi prej 3 kilometra dhe me kosto prej 3.9 milionë euro”, thuhet në njoftimin e komunës së Gjilanit, raporton Gazeta Express.

Reklama e sponzorizuar

Në këtë ceremoni të organizuar nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, të pranishëm ishin kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ministri i Infrasterukturës Arban Abrashi, Arianit Blakaj nga BERZH-I, zv.ministri i Ambientit dhe Ekonomisë, Rexhep Kadriu, deputetët nga ky regjion, përfaqësues të shumtë.

Haziri ka falënderuar kryeministrin Hoti duke theksuar se ky projekt është i rëndësisë së veçantë sepse këtë aks rrugorë e shfrytëzojnë rreth 70 përqind e qytetarëve të Gjilanit dhe regjionit.

“Falënderoj kryeministrin Hoti që së bashku me ministrin e Financave dhe të Infrastrukturës kanë mbyllur procesin me BERZH-in, i cili ka filluar para disa vitesh. Rruga “Madeleine Albright” është e rëndësisë së veçantë, përpos emrit që bartë, rregullon infrastrukturën nëntokësore dhe krijon një qasje dhe rregull krejt ndryshe me kushte të larta moderne. Në këtë projekt, pos asfaltimit e zgjerimit të rrugës, janë të parapara edhe investimet nëntokësore e ndriçimi, me ruajtjen edhe të impaktit në ambient, duke bërë kështu ndryshimet përfundimtare edhe në këtë zonë urbane që e lidh Gjilanin me kryeqendrën, Prishtinën”, ka thënë kryetari Haziri.

Ndërkaq kryeministri Hoti është shprehur se ky projekt do të realizohet në një kohë rekord sepse është meritë e qytetarëve të Gjilanit.

“Ky projekt do të realizohet në një kohë rekorde sepse është meritë e qytetarëve të kësaj zone ndër më të mëdhatë të qytetit të Gjilanit. Dy nivelet qeverisëse, qendrore dhe lokale, janë të angazhuara në këtë kohë për menaxhimin e situatës me pandeminë, por njëkohësisht edhe për mbështetje të sektorit privat për rimëkëmbje ekonomike. Investimet në infrastrukturë janë duke vazhduar njëkohësisht, fal edhe mbështetjes nga donatorët e shumtë që ka Kosova. Do të punojmë se bashku në të gjitha projektet që janë në interes të qytetarëve nga të gjitha Komunat e Kosovës”, ka thënë Hoti.