Oda e Farmacistëve paralajmëron protesta nëse Zemaj nuk e anulon vendimin për shfquzimin e udhëzimit për rregullimin e çmimeve të barnave

Oda e Farmacistëve të Kosovës ka paralajmëruar protesta nëse ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, nuk anulon vendimin për shfuqizimin e udhëzimit administrativ për rregullimin e çmimeve të produketeve dhe pajisjeve medicinale.

Ky vendim është vlerësuar si skandaloz dhe se i hap rrugë për tregti në të zezën e korrupsion. Përfaqësuesit e Odës së Farmacistëve në ora 14:00 do të takohen me ministrin Zemaj për këtë vendim.

“Vendimi i djeshëm i ministrit është skandaloz, sidomos tash, kur Kosova në këtë kohë të përballjes me COVID-19, priste me u zbati plotësisht ky udhëzim administrativ. Por vjend vendimi për shfuqizim të tij. Është e rëndësishme ky udhëzim pasi popullata e Kosovës blenë barna 12 milionë euro më shtrenjtë në vit sesa qytetarët tjerë në vendet e rajonit. Po ashtu është bërë e pamundshme të ushtrohet puna e farmacistëve. Kosova e Bjellorusia janë dy vendet e vetme që nuk i kanë të rregulluara çmimet e barnave. Me rregullimin përfiton pacienti, përfitojnë të gjithë. E aq më tepër ne si profesionistë shëndetësorë. Me këtë shfuqizim do të lulëzojë krimi i organizuar, korrupsioni, shitja e barnave në të zezën. Kërkojmë nga ministri Zemaj, e i jemi drejtuar edhe kryeministrit Avdullah Hoti, që të anulohet ky vendim për shfuqizimin. Në rast se nuk anulohet atëherë nesër do të mblidhet kuvendi i Odës së Farmacistëve dhe do të diskutojmë për hapa të mëtutjeshëm. Do të pasojnë protesta e hapa tjerë”, ka thënë zëvendëskryetarja e Odës së Farmacistëve, Dardane Mehaj në konferencë për media.

Edhe zëvendëskryetari Gjon Gega e ka vlerësuar vendimin si skandaloz.

“Ishte lajm i dhimbshëm për të gjithë kolegët. Ky udhëzim do t’ia mundësojë qytetarëve të kenë barna të lira e të sigurta. Pacienti mund të kërkojë këshilla profesionale. Kemi pasur kërkesa shumë të mëdha për oksigjen, ampula. Me ardh në këtë situatë që të merremi me gjëra tjera, me u marrë me mbyllje të barnatoreve, është e papërgjegjshme, veçanërisht në këtë situatë pandemie. Bëjmë apel që ky vendim skandaloz të shfuqizohet e të vazhdojë puna e udhëzimit administrativ. E sa më shpejt të hyjë vendimi që barnat të kenë çmim. Është e paqartë se çfarë është ky shfuqizim. Ka shumë paqartësi juridike”, ka thënë Gega.

Për vendimin e ministrit Zemaj ka reaguar edhe Instituti Demokratik i Kosovës. 

“Pas vendimit të Ministrit të Shëndetësisë z. Armend Zemaj për shfuqizimin e Udhëzuesit Administrativ për rregullimin e tavanit të çmimeve të barnave, Instituti Demokratik i Kosovës shpreh shqetësimet lidhur me largimin e çfarëdo mase të cilat ndikojnë në rregullimin e çmimeve në sektorin farmaceutik, në kohën më të vështirë të përballimit me krizën shëndetësore të krijuar me pandeminë COVID – 19. Bazuar në raporte të ndryshme të cilat tregojnë për rritje enorme të çmimeve dhe ngrisin shqetësime rreth sinqeritetit afarist në këtë sektor. si në aspektin e blerjeve publike po ashtu edhe në atë privat, konsiderojmë se shfuqizimi i këtij Udhëzuesi Administrativ pa masa tjera të gatshme për parandalimin e keqpërdorimeve me barna është i dëmshëm për qytetarin, tashmë edhe më të varfëruar si pasojë e pandemisë”, thuhet nga KDI.