Studimi i Harvard, dita e punës është zgjatur me 48 minuta në smart working

Një studim i kryer nga një grup kërkuesish të Harvard Business School dhe New York University me titullin “Collaborating during coronavirus: the impact of Covid-19 on the nature of work”, kundërshton tezën sipas së cilës, puna nga shtëpia e imponuar gjatë izolimit, është ekuivalente me pushime të gjata.

Objektivi i studimit ishte të hetonte se si COVID-19 ka ndryshuar mënyrën e komunikimit mes punonjësve gjatë punës nga shtëpia.

Ndikimi i COVID-19 në modelet e komunikimit dixhital të punonjësve në ‘remote working’

Reklama e sponzorizuar

Për t’i dhënë një përgjigje pyetjes së tyre, kërkuesit analizuan të dhënat e 3.143.270 punonjësve, nga 21.000 kompani, të shpërndara në 16 zona të mëdha metropolitane. Studiuesit krahasuan sjelljen e punonjësve në dy periudha prej 8 javësh, para dhe pas bllokimit të COVID-19, duke i ndarë të dhënat në dy kategori me interes: mbledhjet dhe koha e shpenzuar në postën elektronike. Studimi gjeti se gjatë izolimit, është rritur numri i mbledhjeve, si dhe numri i email-eve dhe kohës së punës gjatë remote working

Më shumë mbledhje pune, por më të shkurtra

Studimi regjistroi një rritje të numrit të mbledhjeve për person (+12,9%) dhe të numrit të pjesëmarrësve në mbledhje (+13,5%), por në të njëjtën kohë, reduktim të kohëzgjatjes mesatare për mbledhje (-20,1%). Efekti neto i këtyre ndryshimeve është se punonjësit, gjatë smart working, kaluan më pak kohë në ditë në mbledhje. (-11,5%).

Më shumë email-e të brendshme me më shumë persona të përfshirë

Në lidhje me fluksin e postës elektronike, studimi zbuloi se gjatë punës nga shtëpia, është rritur ndjeshëm numri mesatar i email-eve të dërguara dhe të marra mes personave në të njëjtën kompani. (+ 5,2%). Në të njëjtën kohë është regjistruar një rritje e ndjeshme e numrit mesatar të marrësve në email (+ 2,9%). Megjithatë, numri i email-eve jashtë kompanisë nuk ka ndryshuar në mënyrë të ndjeshme.

Dita e punës, më e gjatë me 48 minuta

Duke analizuar intervalin e kohës nga dërgimi i email-it të parë tek i fundit, apo nga mbledhja e parë në të cilën punonjësi mori pjesë në harkun e 24 orëve, studimi gjeti se si dita e punës është rritur me 48,5 minuta, pjesërisht për shkak të rritjes së numrit të email-eve të dërguara edhe pas orarit të punës. Gjithsesi, duhet theksuar se këto ndryshime me mënyrat e komunikimit janë rregulluar gradualisht me kohën.

Me kalimin e javëve, edhe koha për mbledhje është reduktuar, ashtu si numri i email-eve të dërguara dhe numri mesatar i marrësve të përfshirë në to. Me pak fjalë, me kalimin e tronditjes nga ndryshimi, duket se punonjësit kanë gjetur një mënyrë “të qëndrueshme” në menaxhimin e komunikimit gjatë punës nga shtëpia. Ky rezultat mund të sjellë dobi te ndryshimet organizative, të cilat pritet të ndikojnë në botën e punës në të ardhmen e afërt.

Burimi: Forbes