Osmani: Kontributi i policëve njihet duke ua plotësuar kërkesat

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e ka cilësuar si veprim të pafalshëm trajtimin “në mënyrë të padinjitetshme të Policisë së Kosovës”. Në një takim me kryetaren e sindikatës së Policisë së Kosovës, Valbona Kamberi, dhe kryetarin e rajonit të Gjilanit të kësaj sindikate, Ragip Ajeti, Osmani ka thënë se “institucionet e Kosovës duhet të njohin kontributin e policëve duke i plotësuar kërkesat e tyre”.

Ditë më parë, në një reagim, SPK-ja kishte kërkuar ngritje pagash e pagesën e shujtave, duke paralajmëruar se nuk përjashton asnjë veprim për shprehje të pakënaqësisë.

“Përfaqësuesit e Sindikatës së policisë së Kosovës e njoftuan znj. Osmani me sfidat me të cilat po ballafaqohen policët gjatë pandemisë, duke përmendur orarin e tejzgjatur, moskompensimin e angazhimit në ndërrimin e natës si dhe orëve shtesë. Sipas tyre, shpërfillja e kategorisë së policëve nga Qeveria përbën shqetësim dhe zhgënjim të kësaj kategorie.

Kryetarja Osmani, ndërkaq, theksoi se është e pafalshme që policët e Kosovës, të cilët me profesionalizmin e tyre kanë bërë që policia e Kosovës tradicionalisht të cilësohet ndër institucionet më të besuara në vend, të trajtohet në mënyrë të padinjitetshme. Ajo pohoi se kontributi i policisë së Kosovës në menaxhimin e pandemisë është i pazëvendësueshëm. Rrjedhimisht, ajo tha se institucionet e Kosovës duhet ta njohin kontributin e policëve duke i plotësuar kërkesat e tyre, të cilat ajo i cilësoi si minimale”, thuhet në një njoftim të Kuvendit për këtë takim.

“Duke rikujtuar se ajo ka qenë e zëshme në artikulimin e kërkesave të policëve në Kuvend, sidomos të kërkesës për dhënie të shtesave gjatë pandemisë, kryetarja Osmani e siguroi Sindikatën e Policisë së Kosovës se do të vazhdoj ta ngrisë zërin që policët të marrin trajtimin e merituar nga Qeveria e Kosovës”, përfundon komunikata.