Nis përballja në gjykatë mes sindikatës së punëtorëve të Telekomit dhe “Z-Mobile”

Tri javë pas padisë së Sindikatës së punëtorëve të Telekomit ndaj “Z-Mobile”, Gjykata Themelore në Prishtinë mbajti seancën e parë dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë.

Në këtë seancë që zgjati rreth 1 orë e gjysmë, të dyja palët paraqitën argumentet. Gjyqtari Lekë Prenaj brenda një kohe të shkurtër pritet të marrë vendim nëse do të bllokohet e drejta e “Z-Mobile” për përmbarim të borxhit prej më shumë se 25 milionë eurosh, që ia ka Telekomi. Në këtë procedurë gjyqësore punëtorët e Telekomit kërkuan nga Gjykata që ta shpallë të pavlefshme marrëveshjen e lidhur mes Telekomit dhe “Z-Mobile” në janar të vitit 2009, raporton KOHA.

Sipas kryetarit të Sindikatës, Lamih Balaj, arsye kryesore e pavlefshmërisë së kësaj marrëveshjeje është cenimi i rendit juridik.

Reklama e sponzorizuar

Përmes masës së sigurisë, Sindikata ka kërkuar nga gjykata t’ia ndalojë “Z-Mobile” të disponojë me pasurinë e saj, e cila sipas raporteve vlerësohet të jetë 264 milionë euro.

Avokati i “Z-Mobile” që ishte i pranishëm në seancë, Virtyt Ibrahimaga, nuk është deklaruar lidhur me procesin. Ndërkohë, në procesverbalin të cilin e ka siguruar KOHA, qëndron se në seancë ai deklaroi se kërkesa për mosdisponim të pasurisë është e pabazë dhe nuk është elaboruar mbi çfarë baze ka ardhur deri tek ajo vlerë.

E për vendimin e përmbarimit ai ka thënë se ky proces është shpallur i njohur dhe i ekzekutueshëm nga gjykatat në Kosovë.

Para parashtrimit të padisë nga Sindikata, Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka njohur të drejtën kompanisë “Z-Mobile” për përmbarim të borxhit prej 25 milionë eurosh që ia kishte Telekomi bazuar në vendimin e Arbitrazhit.

Pas kësaj ishin bllokuar llogaritë bankare të Telekomit, e të cilat u zhbllokuan dy javë më pas me një dakordim pa ndonjë marrëveshje në mes të Qeverisë dhe “Z-Mobile”.