Ish-punëtorët e IMN Kosova përmes protestës kërkojnë 20-përqindëshin e privatizimit të ndërmarrjes

Ish-punëtorët e ndërmarrjes së prodhimit të blloqeve IMN “Kosova”, kanë protestuar sot para objektit të Qeverisë së Kosovës, për shkak të mos realizimit të pagesës së 20 përqindëshit nga privatizimi i ndërmarrjes.

Përfaqësuesi i ish-punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje, Emin Neziri, tha se vonesat për ndarjen e 20 përqindëshit kanë të bëjnë shkaku i mos nënshkrimit të një vendimi nga Qeveria e Kosovës me të cilin do të konfirmohej kalimi i pronës së kësaj ndërmarrjeje te komuna e Prishtinës.

Neziri, pas një takimi me Ahmet Isufin në objektin e Qeverisë, tha se punëtorëve u është premtuar që brenda javës t’iu realizohen kërkesat e tyre dhe se derisa të kthehet kryeministri Avdullah Hoti nga vetizolimi për shkak të COVID-19, nuk mund të bëhet asgjë në këtë drejtim.

Reklama e sponzorizuar

“U takuam me Ahmet Isufin, dhe një këshilltar të tij Ali Zeqiri. Ata na premtuan që kryeministri është në izolim edhe një javë. Brenda javës kjo punë e vendimit të shpronësimit, do të përfundojë. Pa ardhur kryeministri, këta nuk mund të marrin kurrfarë vendimi. E për këtë arsye, ne jemi tubuar për të kërkuar pse nuk po realizohet 20% për një vendim shpronësimi”, ka thënë Neziri.

Neziri deklaroi se lista përfundimtare e përfituesve të 20 përqindëshit ka dalë para pesë muaj e gjysmë, por ajo vazhdon të neglizhohet shkaku i mosnënshkrimit të vendimit nga ana e Qeverisë përmes të cilit konfirmohet se prona e IMN-së ka kaluar në pronësi të komunës.

Ai tha se bëhet fjalë për 120 punëtorë të cilët kanë përfituar nga ky vendim, dhe se komuna nga ana e saj i ka ndarë mjetet/KsP.