Pagesat dixhitale në botë, kryesojnë Kina dhe SHBA

Brenda fundit të vitit, 65% e të gjitha pagesave dixhitale do të ndodhë në Kinë dhe SHBA. Kontinenti i Vjetër do të shënojë rritje të shpejtë në 4 vjet

Pagesat dixhitale janë në rritje të vazhdueshme, veçanërisht pas fazës së izolimit (lockdown), e cila largoi kontaktin fizik, duke nxitur blerjet në distancë. Sistemet e pagesave inovative janë burimi më i madh i të ardhurave në tregun global të ‘fintech’ (teknologjia financiare) dhe rritja e ‘digital payment’ përfshin të gjitha vendet.

Sipas të dhënave të ‘FinTech Survey 2020’ të Statista, publikuar nga BuyShares.co.nz., portal i specializuar në tregun e aksioneve, për vitin 2020 parashikohet një shifër totale prej 4,4 trilionë dollarësh të zhvendosur në të gjithë botën, nëpërmjet pagesave dixhitale. Kjo është një shifër e konsiderueshme e cila, gjithsesi, përfaqëson një rënie me 5% krahasuar me vlerësimet e bëra para COVID-19.

Pagesat dixhitale, kryesojnë Kina dhe SHBA

Segmenti i pagesave dixhitale përfshin pagesat e kryera në internet dhe përmes celularit (Pos), nëpërmjet aplikacioneve në smartphone. Kina është superfuqia e sektorit – vlerësimet e Statista tregojnë për 2020 transaksione me vlerë 1,9 trilionë dollarë, thuajse 45% e gjithë pagesave dixhitale që do të bëhen në këtë vit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfaqësojnë tregun e dytë më të madh, me vlerë transaksionesh 895,7 miliardë dollarë, duke zënë 20% të tregut në 2020.

Më pas renditen Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Koreja e Jugut, me përkatësisht, transaksione me vlerë 165,2 miliardë, 164,4 miliardë dhe 113,5 miliardë. Pagesat dixhitale janë një tendencë e konfirmuar në vitet e ardhshme. Sipas Buy Shares, vlera e transaksioneve globale pritet të rritet me 85% brenda vitit 2024, në një shifër të përgjithshme prej 8,2 trilionë dollarësh në të gjithë botën. Edhe pse pandemia e koronavirusit ka goditur të gjithë industrinë e ‘fintech’, statistikat tregojnë se tregjet kryesore të pagesave dixhitale do të vijojnë të rriten me ritme të shpejta.

Në Kinë parashikohet një rritje e vlerës me 84%, me totalin e transaksioneve në 3,5 trilionë dollarë në vitin 2024. Shtetet e Bashkuara do të prekin kuotën 1,5 trilionë dollarë brenda vitit 2024, me një rritje prej 67% në katër vjet.

PAGESAT DIXHITALE, KRYESOJNË KINA DHE SHBA / BURIMI: BUY SHARES

Europa

Europa zë një pjesë tregu shumë më të vogël krahasuar me dy gjigantët, Kinë dhe SHBA, por sondazhi i Buy Shares tregon se Kontinenti i Vjetër po rritet më shpejt se gjithë rajonet e tjera. Për të gjithë industrinë europiane të pagesave dixhitale parashikohet një bum në katër vitet e ardhshme, me rritje 18,7% dhe vlerë transaksionesh thuajse 1,6 trilionë dollarë në vitin 2024.

30% e të gjithë përdoruesve, në Kinë

Numri i përdoruesve të pagesave dixhitale mendohet se do të arrijnë në 4,6 miliardë në fund të 2020 (nga 2,7 miliardë në 2017). Në katër vitet e ardhshme, numri i personave që do të kryejnë pagesa dixhitale do të rritet në 6,4 miliardë. Statistikat tregojnë se pjesa më e madhe e përdoruesve të ‘digital payment’ jeton në Kinë. Në tre vitet e fundit, kinezët që përdorin pagesat online janë rritur nga 840 milionë në 1,3 miliardë dhe përfaqësojnë thuajse 30% të të gjithë përdoruesve në botë. Statista parashikon që në vitin 2024, kjo shifër do të shkojë në 1,6 miliardë.

Rivali numër një i Kinës, SHBA, parashikohet se do të arrijë në 305,7 milionë përdorues në fund të vitit 2020 dhe 353 milionë në vitin 2024. Në Europë, qytetarët që përdorin pagesat dixhitale do të rriten me 24% në katër vitet e ardhshme, në kuotën 721,7 milionë në vitin 2024. /Monitor.al/