Pompeo e Schallenberg: Mbështesim dialogun Kosovë-Serbi dhe integrimin e të dy shteteve në instancat euro-atlantike

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pomepo, është duke qëndruar për një vizitë në Evropë. Dje gjatë ditës në Vjenë ka takuar edhe ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, me të cilin kanë diskutuar edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe në mënyrë të veçantë për dialogun Kosovë-Serbi.

Për punën e negociatave mes Prishtinës dhe Beogradi Pompeo dhe Schallenberg kanë diskutuar dje në dy takime që kanë pasur, në drekë dhe pastaj edhe në takimin e darkës.

Pas këtyre diskutimeve, Pompeo dhe Schallenberg kanë lëshuar edhe një komunikatë të përbashkët në të cilën shprehin përkrahjen e tyre për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi në mënyrë që shtetet të shkojnë drejt integrimit në strukturat trans-atlantike, raporton Gazeta Express.

“Ballkani Perëndimor është një rajon ku Austria dhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar së bashku për t’i promovuar paqen dhe stabilitetin për shumë vjet, siç dëshmohet, në mesin e shumë faktorëve të tjerë, përmes zotimit tonë të përbashkët ndaj ruajtjes së paqes në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë”, thuhet në komunikatën e përbashkët.

“Shtetet e Bashkuara dhe Austria e ndajnë gjerësisht vizionin e njëjtë për rajonin, një bazë e fuqishme për bashkëpunim produktiv dhe konsultime të rregullta të nivelit të lartë. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për promovimin e dialogut Beograd-Prishtinë dhe për çuarjen përpara të integrimit të këtyre shteteve në komunitetin trans-atlantik, me anëtarësimin e  plotë në BE si qëllim për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet ndër të tjera.