Raporti i FMN-së përgënjeshtron BQK-në për rritjen 26% të sigurimit të veturave

Rritja e çmimit të sigurimit të veturave prej 26 për qind, po del të jetë bërë edhe për arsye tjera që nuk janë bërë publike nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

Në kumtesën e BQK-së të publikuar pas vendimit, si arsye kryesore për këtë rritje, përmendet inflacioni ndër vite në Kosovë.

Por një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) i cili ka qenë në Kosovë gjatë vitit 2019, ka gjetur se një pjesë e madhe kompanive të sigurimit nuk i kishin zbatuar rregulloret e BQK-së për shpenzimet operative.

Kjo kishte bërë që ato të raportojnë humbje enorme në BQK.

Me rregullore të BQK-së, shpenzimet e kompanive kufizohen në nivelin 35 për qind të primeve, por në vitin 2018 shpenzimet në disa kompani e tajkaluan këtë prag, duke shkuar në rreth 50 për qind të primeve.

“Normat e larta të shpenzimeve mbizotërojnë me gjithë faktin se BQK-ja si duket ka nxjerrë një rregullore që kufizon shpenzimet në 35 përqind të primeve, normë kjo e cila respektohet vetëm nga kompanitë udhëheqëse në treg”, thuhet në raportin e sapo publikuar të FMN-së  “Rishikimi i stabilitetit të  sektorit financiar”.

Kështu, për vitin 2018, kompanitë e sigurimit treguan raporte humbjeje prej 46.6 përqind dhe normat e shpenzimeve prej 48.1 përqind për biznesin e tyre të brendshëm, dhe raportin e humbjes 32.8 përqind për MTPL jo-rezidente me raport shpenzimesh prej 59.6 përqind.

“Normat e larta të shpenzimeve mund të jenë rezultat i stimujve të ofruar për agjentët dhe ndërmjetësit ose direkt për klientët duke pasur parasysh pamundësinë e siguruesve për të garuar në çmim pasi premiumet përcaktohen nga BQK-ja për produktin më të rëndësishëm, pra MTPL-në”, thuhet në  raport. /Buletini Ekonomik/