Rukiqi: Problemi kryesor i pakos emergjente është mungesa e efikasitetit

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se problemi kryesor i pakos emergjente është mungesa e efikasitetit, apo vendosja e parasë në kohën e duhur.

Ai ka kërkuar që të miratohet ligji dhe paratë e Trustit të vihen në dispozicion sa më shpejt, raporton KOHA.

“Ligji për rimëkëmbjen ekonomike e ka të njëjtën rëndësi me ligjin për pandeminë. Problemi kryesor i pakos emergjente qëndron te mungesa e efikasitetit, pra vendosja e parasë në kohën e duhur”, ka thënë ai.

Reklama e sponzorizuar

“Ne mendojmë që mjetet e Trustit duhet të jenë në dispozicion të qytetarëve. Në secilën shumë qytetarët janë të gatshëm ta tërheqin dhe shfrytëzojnë, pra është diçka e domosdoshme”, ka shtuar Rukiqi.

Ai ka thënë se më së largu deri në nëntor paratë e Pakos Emergjente të futen në treg.

“Ne mendojmë që ligji mundëson që masat të implementohen më shpejt. Nëse ne dëshirojmë me kriju rimëkëmbje ekonomike, duhet që në tetor ose më së largu në nëntor paratë e Pakos Emergjente të futen në treg”, ka deklaruar ai, duke shtuar se ka “hapësirë për ndryshime. Është ligji për TVSH-në që ne mendojmë se do ta rrit konsumin ditor e ulë informalitetin”.

“Pjesa kryesore në ligj ne mendojmë që është lehtësimi i qasjes në kredi për biznese”, sipas Rukiqit.

Ai po ashtu ka folur rreth nevojës për digjitalizim.

“Masë tjetër e rëndësishme sipas nesh është digjitalizimi. Kisha kërku që qeveria të shtojë disa masa që lidhen me energjinë dhe efiçiencën e saj”, ka thënë ai.