Zëvendës-ministri i MPJ-së e përdori kartelën bankare edhe pas përfundimit të mandatit

Njëri nga zëvendësit e ish-ministrit të MPJ-së, Behgjet Pacolli, ka shpenzuar një shumë të majme parash nga kartela bankare e vet kësaj ministrie edhe pas përfundimit të mandatit të tij.

Zëvendësi i Pacollit ka shpenzuar gjithsej 4 mijë e 263 euro për të kryer pagesa për shërbime personale dhe jo për udhëtime zyrtare siç parashihet në Rregulloren e përdorimit të kartelës bankare, përcjell Buletini Ekonomik.

Saktësisht dy vite të plota (që nga data 08.09.2017 deri më 18.09.2019) kjo kartelë bankare e ministrisë ishte në dorën e zëvendësministrit të MPJ-së pa asnjë autorizim, edhe pse sipas ligjit kartela kreditore e secilit zyrtar duhet të bllokohet menjëherë pas përfundimit të mandatit.

Reklama e sponzorizuar

Për dy vite, as Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e as vet zyrtari në fjalë nuk kishin bërë zë për ta njoftuar Thesarin për bllokimin e kartelës pas ndërprerjes apo pas pezullimit të marrdhënies së punës, në mënyrë që të përfundojë edhe autorizimi i mbajtjes së kartelës kreditore, dhe të kursehet buxheti i ministrisë.

Auditori i Përgjithshëm në raportin e fundit për MPJ-në, ka konstatuar se edhe pse zyrtari në fund të muajt i kishte deponuar mjetet në bankë për shpenzimet e bëra me kartelë kreditore, MPJ-ja në fund të vitit 2019 nuk kishte qenë në gjendje t’i mbyllë avance në thesar (4,263€) të cilat figurojnë si të hapura.

Kjo kishte ndodhur nga papërgjegjësia e ministrisë si dhe mbajtësit të kartelës për të kërkuar bllokimin e kredit kartelës.

Sipas Auditorit, përdorimi i kartelës kreditore pas përfundimit të mandatit përveç që është në kundërshtim me kërkesat e rregullores paraqet gjithashtu edhe rrezik të keqpërdorimit të parasë publike. Ai rekomandon se vet ministri duhet të sigurojë mbikëqyrje të vazhdueshme në mënyrë që pas përfundimit të mandatit të zyrtarëve të kërkojë mbylljen e kartelës kreditore mënjëherë. Po ashtu të merr të gjitha masat që të bëhet mbyllja e këtyre avanceve në thesar. /Buletini Ekonmik/