Presidenti angazhon kompani lobuese, e paguan 7 mijë euro në muaj

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka angazhuar kompani të re lobuese që do ta këshilloj për çështjet e politikës së jashtme.

Kompania “Walker Foundation” është përzgjedhur në tenderin “Shërbime te veqanta konsulente, per nevojat e ZPRK-es”, vlera financiare e të cilit është 35 mijë e 50 euro.

Në kontratën e arritur mes Zyrës së Presidentit dhe “Walker Foundation”, thuhet se kompania do të kryejë disa detyra që lidhen me politikën e jashtme.

“Përfaqësimi i Republikës së Kosovës brenda dhe jashtë; Zgjerimin dhe forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me shtete tjera; Forcimin e funksinimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës; Avancimin e iniciativave të rritjes ekonomike dhe integrimin e Kosovës në strykturat evropiane dhe euroatlantike; Cështjet që kërkohen nga presidenti”, thuhet në kontratë.

Punët e porositura do të kryhen në periudhën kohore prej datës 01 gusht 2020 deri me 31 dhjetor 2020, me mundësi të vazhdimit edhe për gjashtë muaj, sipas kërkesave të Kabinetit të Presidentit.

Ndërkaq, për punën e kryer, kompania do të kompensohet në shumën prej 7 mijë euro neto në muaj. /Buletini Ekonomik/