Mbi 31 mijë qytetarë të Kosovës vizituan Shqipërinë këtë fundjavë

Në vendkalimin kufitar të Morinës gjatë dy ditëve të fundit kanë kaluar mbi 31 mijë persona dhe mbi 11 mijë automjete. Pavarësisht pandemisë COVID-19, pushuesit nga Kosova kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacion turistik.

Pavarësisht pandemisë së Covid-19, shqiptarët e Kosovës vazhdojnë të vizitojnë Shqipërinë gjatë fundjavës.

Vetëm në dy ditët e fundit, më shumë se 31 mijë persona me mbi 11 mijë mjete kanë hynë në Shqipëri nga pika kufitare e Morinës.

Reklama e sponzorizuar

Sipas të dhënave të bëra publike javë pas jave, kjo duket si fundjava me më shumë udhëtarë nga pika kufitare e Morinës e kësaj vere.

Pjesa më e madhe e tyre janë shqiptarë të Kosovës që kalojnë fundjavën në qytetet bregdetare.

Të premten, radha e makinave që kërkonin të kalonin kufirin e Morinës ishte disa kilometra e gjatë, por për shkak se nuk kërkohet testim apo vërtetim se udhëtarët nuk janë të infektuar me Covid-19, procedurat në doganën shqiptare zgjasin pak.

Sipas të dhënave vetëm ditën e diel kanë hyrë në Shqipëri  16.880 shtetas të huaj, 2.917 shtetas shqiptarë, 4.411 mjete të huaja dhe 1.367 mjete shqiptare.

Pika kufitare e Morinës është një pikë shumë e rëndësishme duke qenë se përpunon numrin më të madh të vizitorëve gjatë vitit. Shqiptarët e Kosovës, vijojnë të kryesojnë me fluksin më të madh të vizitorëve që kanë hyrë në Shqipëri përmes kësaj pike doganore.