25 punëtorë në MTI i morën pagat pa dalë fare në punë

25 punonjës të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, gjatë tërë vitit 2019, janë paguar me paga të rregullta edhe pse nuk kanë dalur fare në punë asnjë ditë.

E shpenzimet e Ministrisë vetëm për pagat e tyre kishin arritur vlerën e 124 mijë e 874 eurove. Këto para të buxhetit të shtetit kanë shkuar dëm, pasi Ministria nuk kishte marrë shërbimin për të cilin edhe kishte paguar, përcjell Buletini Ekonomik.

Ministria e Tregtisë kishte bërë përpjekje për adresimin e kësaj çështjeje gjatë vitit të kaluar, thonë nga ZKA, por që prapë se prapë nuk kishte qenë në gjendje të sigurojë angazhimin e këtyre punonjësve në vendet e tyre të punës ku edhe kanë qenë të angazhuar.

Sipas Auditorit, pagesat për paga të këtyre punonjësve pa vijuar punën fare janë shpenzime të parregullta të buxhetit dhe si të tilla dëmtojnë atë.

Ai rekomandon se ministri duhet t’i ndërmerrë të gjitha veprimet për të siguruar vijueshmërinë e rregullt në punë të punonjësve, duke bërë monitorimin e tyre të vazhdueshëm ashtu siç parashihet me aktet ligjore. Po ashtu, për shkak të kompleksitetit të këtij problemi, Ministri rekomandohet që çështjen e mëtejme të këtyre pagesave ta adresojë edhe në Qeveri dhe ta zgjidhë në periudhën e ardhshme. /Buletini Ekonomik/