Dështimi i Parkut të Biznesit në Drenas

0
3

Hapësirat me qira në Parkun e Biznesit në Drenas po vazhdojnë të shfrytëzohen nga bizneset kosovare pa paguar fare. Madje disa prej tyre ka edhe me vite që nuk i kanë përmbushur obligimet e tyre ndaj MTI-së.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është përgjegjëse kryesore për dhënien me qira të këtyre hapësirave në Drenas dhe po ashtu është përgjegjëse edhe për inkasimin e borxheve nga biznesmenët aty, përcjell Buletini Ekonomik.

5 biznese gjatë tërë vitit 2019 nuk kanë paguar fare për hapësirën që kanë shfrytëzuar në këtë Park biznesor për operimin e bizneseve të tyre, kurse 4 biznese të tjera përpos 2019-s, kanë grumbulluar borxh të konsiderueshëm edhe nga vitet paraprake. Që të gjitha kishin tejkaluar afatin maksimal të pagesës të përcaktuar me kontratë, dhe ministria në fjalë kishte heshtur.

Në rast të mospagesës së qirasë, Ministria e Tregtisë ka pasur disa mënyra në dispozicion për t’i ndëshkuar bizneset dhe të krijojë mundësi të inkasimit të borxheve, mirëpo që asnjëra prej tyre nuk ishte shfrytëzuar.

Masa e vetme që MTI-ja kishte ndërmarrë për të mbledhë borxhet, ka qenë dërgimi i lëndëve në avokaturën shtetërore në Ministrinë e Drejtësisë dhe në procedura përmbarimore, por edhe pas kësaj shuma e këtyre llogarive vetëm sa ishte rritur.

Pra, MTI-ja nuk kishte ndërmarrë masa të shkëputjes së kontratës, siç kërkon neni 24 i kontratës edhe pse qiramarrësit kanë shkelur detyrimet kontraktuese, duke mos i paguar faturat për shfrytëzimin e parcelave të dhëna me qira, por ka vazhduar t’i lejojë që të operojnë në Parkun e Biznesit pa pagesë.

Këto shkelje janë konstatuar në raportin e fundit të Zyrës Kombëtare të Auditorit për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për vitin 2019.

Llogaritë e arkëtueshme nga qiraja në parkun industrial të Drenasit janë 203,876€ nga të cilat 68% janë llogari që i takojnë viteve 2010 deri 2018.

Sipas kontratave për këto lloj marrëveshjeje, kushtet e pagesës së qirasë janë: -“Për kontratat para vitit 2013, qiramarrësi është i obliguar që prej datës 1 deri më 5 të kryej pagesën e qirasë të muajit vijues. Në rast të vonesës së pagesës së qirasë, qiramarrësi do të ndëshkohet konform kamatave bankare të cilat janë në fuqi. Ndërsa për kontratat pas vitit 2013 neni 2 përcakton “kushtet e pagesës së qirasë” – Qiramarrësi është i obliguar t’i paguaj qiranë qiramarrësit çdo 6 muaj, më së largu deri më datën 15 të muajit vijues. Në rast të vonesës së pagesës së qirasë, qiramarrësi do të ndëshkohet të paguaj interesin 5%të shumës së pagesës së qirasë. Ndërsa, neni 24 i kontratës përcakton se “e drejta e shkëputjes së njëanshme të kontratës bëhet në veçanti me rastin e shkeljes së detyrimeve kontraktuese nga ana e qiramarrësit të parapara me ligjet në fuqi.”

E rritja e llogarive të arkëtueshme në mënyrë të vazhdueshme rrezikon grumbullimin e mjeteve me kohë, vjetërsimin e tyre si dhe mundësinë që ato të mos inkasohen asnjëherë.

Auditori i rekomandon ministrit përkatës që  të sigurojë se do të shqyrtohen të gjithë mekanizmat ligjor në inkasimin e të arkëtueshmeve të vonuara, duke kalkuluar edhe interesin e përcaktuar nga tregu bankar dhe me kontratë, si dhe në rastet e mosrespektimit të kushteve të kontratës nga operatorët, të shqyrtojë mundësinë e shkëputjes së kontratave. /Buletini Ekonomik/