Auditori gjen se UP-ja angazhoi punë sekondare pa aprovim nga menaxhmenti

Në kundërshtim me Rregulloren për të ardhura personale të personelit akademik, 79 profesorë të Universitetit të Prishtinës vitin e kaluar, përveç punës së rregullt në UP, janë angazhuar në punë sekondare në institucione të tjera të arsimit të lartë.

Ndonëse me Rregullore stafi akademik është i obliguar që për këto angazhime të marrë pëlqimin nga dekani dhe miratimin nga rektori i UP-së, asnjëri nga 79 profesorët nuk e ka përfillur këtë, raporton KOHA.

Kjo është identifikuar në raportin e Auditimit për pasqyrat financiare të UP-së të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Madje, sipas ZKA-së, ka pasur rast kur një profesor përveç kontratës së rregullt në UP kishte kontratë të rregullt edhe në një kolegj privat dhe kontratë me honorar në Universitetin e Prizrenit.

“Angazhimi i profesorëve për punë shtesë pa miratimin e menaxhmentit, përveçse është në kundërshtim me kërkesat e rregullores për të ardhurat personale të personelit akademik, ndikon në cilësisë e procesin arsimor për shkak të angazhimeve të shumta të personelit akademik”, thuhet në raport.

Po ashtu, sipas raportit, në programin “Avancimi dhe Kualifikimi i Mësimdhënësve”, në të cilin kanë qenë të angazhuar rektori, prorektorë, dekanë, sekretari e një pjesë e stafit administrativ të UP-së, kompensimi ishte bërë pa ofruar dëshmi se është kryer puna jashtë orarit të rregullt të punës. Në bazë të një vendimi të Këshillit drejtues të UP-së, rektori, prorektori e dekanët, përveç mbajtjes së orëve mbi normë, nuk mund të kenë angazhim tjetër brenda dhe jashtë UP-së gjatë orarit të rregullt të punës.

Kryetari i AKM-së, që është rektor i UP-së, është kompensuar me 590 euro në muaj, anëtarët me 490 euro në muaj, si dhe stafi administrativ me nga 80 deri në 300 euro në muaj.

Një tjetër shkelje që e ka evidentuar Auditori në UP është pagesa në shuma të ndryshme për kryetarët e komisioneve për vlerësim dhe mbrojtje të doktoratës. Sipas nenit 21 të Rregullores për të ardhura personale, kompensimi për këtë pozitë është 200 euro.

Mirëpo ZKA ka vërejtur se në disa fakultete pagesa për kryetarët e këtyre komisioneve ka shkuar deri në 400 euro. Të gjitha vendimet për këto kompensime, sipas Auditorit, janë nënshkruar nga prorektorja për Buxhet dhe Financa, Myrvete Badivuku.

“Kompensimet e ndryshme për komisione të njëjta, në fakultete të ndryshme shkaktojnë trajtim jo të barabartë të stafit pjesëmarrës në këto komisione dhe kjo ndikon që paraja publike të shpenzohet në mënyrë jo të duhur”, thuhet në raportin e ZKA-së.

KOHA ka pyetur prorektoren Badivuku rreth këtyre pagesave, por edhe shkeljeve të tjera të identifikuara në UP, mirëpo nuk ka marrë përgjigje. Përgjigje nuk ka kthyer as Rektorati.

Në fund të raportit bëhet e ditur se UP është pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit dhe është zotuar se brenda 30 ditëve nga raporti final do të dorëzojnë plan të veprimit dhe zbatimit të rekomandimeve.