Auditori i konfirmon favoret e Telekomit për “Pay-Kos”

Në vitin 2019, Telekomi i Kosovës i mundësoi kompanisë “Pay-Kos” fitime të majme përtej kushteve të kontratës bazë. Prej 18.7 milionë euro sa ishte vlera e mbushjeve të shitura, kompania fitoi nga provizioni 2.9 milionë euro.

Agon Sinanaj

Fitime përtej kushteve të kontratës bazë i ka mundësuar menaxhmenti i Telekomit kompanisë “Pay-Kos” me të cilën ka kontratë për distribuimin e mbushjeve që nga vitit 2015.

Prej 18.7 milionë eurove sa ishte vlera e mbushjeve të shitura në vitin 2019, kompania fitoi nga provizioni 2.9 milionë euro. Në tri raste, kompania bleu nga Telekomi mbushje në vlerë të 3 milionë eurove, prej nga fitoi 900 mijë euro, ani pse me kontratën bazë provizioni ishte përgjysmë më i vogël.

Këto gjetje janë konfirmuar nga Auditori i Përgjithshëm në raportin e auditimit për Telekomin e Kosovës për vitin 2019. Buletini Ekonomik në fillim të këtij viti, ka publikuar një seri të shkrimeve lidhur me fitimet milionëshe në Telekom, të kësaj kompanie.

Kontrata bazë është nënshkruar me 16 mars të vitit 2015, dhe kishte për qëllim shitjen, distribuimin dhe promovimin  e mbushjeve Pre Paid. Por, nga ajo kohë kompania u favorizua edhe me ankes-kontrata, duke përfituar kështu nga provizioni përtej kontratës bazë.

Provizioni u rrit nga 9.7% në 35.4%

Në raportin e tij, Auditori ka numëruar së paku tri transaksione që kishin ndodhur në mes të Telekomit dhe kësaj kompanie me kushte të ndryshuara nga kontrata bazë.

“Provizioni që paguan Telekomi për shitjet e lartcekura sipas marrëveshjes bazë është 9,7% ( sipas bonuseve shtesë mund të arrijë 13,9 %), ndërsa në Aneks IX, X dhe XI norma e provizionit është ngritur në 30%, duke rritur kështu në mënyrë të ndjeshme koston e shitjes”, thuhet në raportin e Auditorit.

Ndryshim tjetër nga kontrata bazë ishte edhe mënyra e përllogaritjes së TVSH-së nga aneks IX në Aneks X, gjë që rriti në mënyrë efektive normën e provizionit nga 30% në 35.4 %.

“Pra, për shitjet totale prej 3,000,000€, sipas kontratës bazë Telekomi duhet të paguante 417,000€ ndërsa sipas Aneks IX ka paguar 900,000€, pra 483,000€ më shumë”, konstaton Auditori.

Në anën tjetër, përkundër rritjes së provizionit të shitjes për “Pay-Kos”-in, kjo nuk reflektoi në rritjen e volumit të përgjithshëm të shitjes që ka realizuar kompania krahasuar me vitet paraprake. Përkundrazi, sipas Auditorit, vërehet një trend i vazhdueshëm i rënies së volumit të shitjes nëse krahasohen 3 vitet e fundit.

Kontestohet baza ligjore e kontratës

Auditori në raportin e tij e ka vënë në dyshim edhe bazën ligjore të kontratës mes Telekomit dhe “Pay-Kos”-it.

Në kontratën bazë, te neni 7, është përcaktuar kohëzgjatja e kontratës, përkatësisht 4 vite dhe thuhet që do të vazhdohet kontrata edhe për 4 vite tjera nëse nuk ka një njoftim me shkrim nga palët 30 ditë më herët.

“Kjo kontratë nuk ishte trajtuar si “kontratë për shërbime” dhe si e tillë procedurat për lidhjen e kësaj kontrate nuk i janë nënshtruar rregullave të Ligjit të Prokurimit Publik”, thotë Auditori.

Përveç kësaj, ende pa përfunduar validiteti i kontratës bazë (kontrata ishte valide deri në vitin 2019), përmes anekseve të kontratës është bërë zgjatja e kontratës, përkatësisht në vitin 2016. Me aneksin VII shtohet afati për 4 vite, në vitin 2017 me aneksin VIII shtohet afati për 5 vite, ndërsa në vitin 2019 me aneksin XII shtohet afati për 2 vite.

“Rrjedhimisht vazhdimi i validitetit të kontratës është bërë jashtë rregullave të LPP-së, bazuar në një rekomandim nga drejtorët e departamenteve, mirëpo nuk ishte bërë një analizë paraprake e përshtatshmërisë ekonomike të kësaj kontrate, në kontekst të nevojës për të kontraktuar një OE të jashtëm si ndërmjetës i shitjes karshi kapaciteteve të brendshme të Telekomit të Kosovës sh.a.”, ka vlerësuar Auditori.

Telekomi kishte kërkuar interpretim nga KRPP lidhur me atë nëse një kontratë e tillë duhet të zhvillohet në kuadër të procedurave të LPP-së. Bazuar në të dhënat e ofruara nga Telekomi në kërkesën për interpretim, KRPP kishte konsideruar se nuk duhet të aplikohen procedurat e LPP-së, me arsyetimin se kjo nuk ka të bëjë me transparencën e shfrytëzimit të fondeve publike.

Por, Auditori në raportin e tij thotë se “lidhja dhe vazhdimi i një kontrate të tillë hyn brenda përkufizimeve të LPP, përkatësisht Nenit 15, paragrafi 6, dhe nuk bën pjesë tek përjashtimet e përcaktuara nga ky ligj”. /Buletini Ekonomik/

LEXO EDHE:

Lini një koment!