Ekonomia gjermane për tre muaj tkurret me rreth 10 për qind

Ekonomia gjermane në tremujorin e dytë të vitit ra me një hap rekord prej 9.7 për qind.

Shpenzimet e konsumit, investimet e kompanive dhe eksportet kolapsuan në kulmin e pandemisë COVID-19.

Sipas të dhënave zyrtare nga Zyra gjermane e Statistikave, rënia rezulton të jetë edhe më e madhe se ajo e krizës financiare të një dekade më parë, si dhe përfaqëson rënien më të madhe në historinë e Gjermanisë, që prej kohës kur ka filluar edhe raportimi i këtyre të dhënave, në vitin 1970.

Reklama e sponzorizuar

Pavarësisht rënies historike të ekonomisë, rezultati është mbi pritshmëritë e tregjeve dhe analistëve. Projeksionet flisnin për një tkurrje prej 10.1 për qind.

Shpenzimet u tkurrën më 10.9 për qind, investimet kapitale më 19.6 për qind dhe eksportet më 20.3 për qind.

Edhe aktiviteti i ndërtimit ka pësuar një rënie të ndjeshme prej 4.2 për qind gjatë kësaj periudhe kohore.

E vetmja e dhënë pozitive rezulton të jetë ajo e shpenzimeve shtetërore, në rritje me 1.5 për qind.

Ekspertët shprehen se, tremujori i dytë i vitit, ka qenë një katastrofë për ekonominë më të madhe të Evropës. /Telegrafi/