Kur u printuan paratë e para të Shqipërisë

Deri në vitin 1926, Shqipëria nuk kishte monedhë kombëtare e si rrjedhojë përdorte ligjërisht monedha të huaja, që krijonin jo pak probleme në shkëmbimet ekonomike të vendit apo te llogaritë publike, për shkak edhe të mungesës së kursit të këmbimit.

Krijimi i Bankës Kombëtare të Shqipërisë parashikoi edhe printimin dhe futjen në treg të monedhës shqiptare, Frangut Ar me nënfishat e tij Lekë dhe Qindarka. 1 Frang Ar ishte i barabartë me 5 Lekë.

Në procesin e printimit të kartëmonedhave e monedhave shqiptare do të angazhoheshin disa prej kompanive të kohës, të njohura për këtë shërbim.

Reklama e sponzorizuar

Për kartëmonedhat me prerje 5, prerje 20 dhe prerje 100 franga do të përzgjidhej kompania “Bradbury Wilkinson & Co. Ltd.” në Londër ndërsa për kartëmonedhën 1 frangë (5 lekë) do të përzgjidhej “Richter & Co” në Napoli.

Pati edhe një problem me 5 lekëshin e parë. Studiuesi Haxhi Shkoza shkruan se kartëmonedhat 1 frangëshe (5 lekë) të printuara nga “Richter &Co” u hoqën nga qarkullimi shpejt. Shkak u bë fakti se kartëmonedha kishte si element identifikues shqiponjën romake me 1 kokë dhe jo atë shqiptare me dy koka.

Sa i përket kartëmonedhave të tjera, nga kompania me qendër në Londër, fillimisht do të printohej një sasi prej 5 mijë frangash ari, të ndara në prerje 20 frangëshe të cilat do të futeshin në qarkullim në tregun shqiptar në vitin 1926.

Prerja 20 franga do të ishte prerja më e përdorur në Shqipëri deri në vitet ’30 e duke zënë 62 % të nivelit të qarkullimit të parave. Më pas raporti do të ndryshonte, ku prerja 100 franga do të zinte më shumë “vend” në qarkullimin e parasë në vend.

Sa i përket monedhave metalike shqiptare, ato u bazuan në modelet e Giuseppe Romagnoli i cili drejtonte në atë kohë shkollën e medaljes dhe ofiçinën shtetërore italiane të letrave me vlerë. Monedhat shqiptare do të gdhendeshin nga “Motti.inc” në Romë/Dita.