Më 2019, Telekomi punësoi 118 punonjës pa konkurs publik

Në vitin 2019, gjatë udhëheqjes së ish-Kryeshefit Ekzekutiv, Bedri Istrefi, në Telekomin e Kosovës, ishin punësuar gjithsej 118 punonjës pa konkurs publik.

Përveq tyre, ishin angazhuar në punë edhe 5 ekspertë të jashtëm ligjor, me kontrata për punë dhe detyra specifike, ku po ashtu nuk kishte shpallur konkurs publik fare, përcjell Buletini Ekonomik.

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e saj të publikuar dje, për ndërmarrjen publike “Telekomi i Kosovës”, ka konstatuar se brenda kësaj kompanie kishte pasur mungesë transparence si dhe kufizim të konkurrencës me rastin e punësimit të këtyre punonjësve pa konkurs.

Testet e audituara nga ZKA-ja kanë treguar se për 110 punonjës nga 118 të punësuarit nuk ishte respektuar madje as afati maksimal i punësimit prej 120 ditësh për këtë mënyrë të kontraktimit.

Periudha maksimale e angazhimit prej 120 ditësh, e paraparë për punë dhe detyra specifike, ishte tejkaluar nga 30 deri në 150 ditë në këto raste.

Sipas Ligjit të Punës, çdo punëdhënës në sektorin publik, është i obliguar të shpallë konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës (neni 8); dhe në rastin e kontratës për punë dhe detyra specifike ajo nuk mund të jetë më e gjatë se 120 ditë brenda një viti (neni 10 pika 6), kritere këto që nuk janë përfillur fare nga ana e menaxhmentit të Telekomit. /Buletini Ekonomik/

Lini një koment!