Rënie e pagesave online gjatë pandemisë

Gjatë periudhës së pandemisë në Kosovë, qytetarët kanë kufizuar lëvizjet e tyre nëpër banka e dyqane, shkaku i rrezikut të përhapjes së virusit.

E gjatë kësaj kohe, është vërejtur edhe një rritje e pagesave online në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Vetëm përmes llogarive e-banking (online) prej janarit deri në qershor 2020 janë bërë gjithsej 2 milionë e 473 mijë e 650 kredit transfere, në krahasim me vitin e kaluar për të njëjtën periudhë që kanë qenë 2 milionë e 397 mijë e 249 pagesa nga kjo platformë. Rritja e pagesave online në këtë kategori u manifestua me një përqindje prej 3.2%.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkaq, numri i pagesave me anë të kartelave (online) ka rënë pothuajse përgjysmë. Nga 1 milion e 8 mijë e 866 pagesa me kartela në vitin 2019, prej janarit deri në qershor, këtë vit ato kanë rënë në vetëm 580 mijë pagesa me kartela. E shprehur me përqindje, kjo rënie del të jetë rreth 42%.

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, ka thënë se rënia e pagesave online me anë të kartelave përgjatë kësaj periudhe, duke marrë parasysh se blerjet me kartela online bëhen kryesisht për produkte dhe shërbime jashtë vendit, mund të ketë qenë e ndikuar nga kufizimet e lëvizjeve dhe mundësive për transport, nga rënia e pagesave për udhëtime, si dhe nga rënia e konsumit në disa kategori gjatë periudhës së pandemisë.

Sipas BQK-së, vërehet një rritje e numrit të transaksioneve me kartela përmes terminaleve POS fizikë për rreth 17% për peridhën e njëjtë janar qershor nga viti 2019. Nga janari deri në qershor të 2020 ishin gjithsej 6 milionë e 267 mijë e 289 transaksione me kartela përmes terminaleve POS fizikë, krahasuar me përidhën e njëjtë të vitit 2019 që ishin 5 milionë e 358 mijë e 99 transaksione. /Buletini Ekonomik/