Telekomi pagoi ekspertë të jashtëm 6 mijë euro në muaj

Pesë ekspertë të jashtëm janë paguar me shuma marramendëse nga Telekomi i Kosovës gjatë vitit 2019.

Sipas Auditorit, ata u paguan duke filluar prej 2 mijë e 700 eurove deri në 2 mijë e 950 euro në muaj.

Madje njëri prej tyre, sipas Auditorit kishte tri kontrata të ndryshme për punë brenda Telekomit, për të cilat u pagua në shumën totale prej 6 mijë 150 eurove në muaj, përcjell Buletini Ekonomik.

Për më tepër, Telekomi i Kosovës kishte angazhuar këta ekspertë të jashtëm ligjor me kontrata për punë dhe detyra specifike, duke mos shpallur konkurs publik fare.

Mos shpallja e konkursit publik për kontrata dhe detyra specifike, ishte bërë për shkak se  ndërmarrja nuk e kishte konsideruar të nevojshme shpalljen e konkursit publik fare, por për këto raste vetëm ka bërë “Thirrje për shprehje të interesit”, e cila ishte vendosur ne ëeb sajt të Telekomit, thonë nga ZKA.

Ndërsa tejkalimin e afatit të anagzhimit të punonjësve, Telekomi e kishte arsyetuar se e kishte bërë për shkak të nevojave të departamenteve kërkuese.

Sipas Auditorit të Përgjithshëm, angazhimi i ekspertëve ligjor, sipas zyrtarëve të Telekomit, kishte qenë i nevojshëm, për shkak të negociatave me MVNO – Dardafon dhe këtë përzgjedhje të kandidatëve e kanë bërë me negociata, në koordinim me menaxhmentin, Kryeshefin Ekzekutiv dhe Bordin e Drejtorëve. Mirëpo, në dosjet e tyre treguar ZKA-së, përveç tre ofertave financiare nuk kishte pasur dëshmi për këto negociata.

Auditori rekomandon që Bordi i Drejtorëve të sigurojë se po merren masat e nevojshme që të respektohen dispozitat ligjore përkatëse me rastin e angazhimeve të punonjësve të rinj, si dhe të respektohet afati maksimal i lejuar me ligj në rastin e punonjësve me kontratë dhe detyra specifike. /Buletini Ekonomik/

Lini një koment!