Prodhimi i Brendshëm Bruto i fuqive ekonomike tkurret me rreth 10 për qind

Prodhimi i Brendshëm Bruto në tremujorin e dytë të vitit 2020 të zonës së Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) është tkurrur më rreth 10 për qind.

Kjo ka ndodhur për shkak të kufizimeve dhe masave bllokuese të pandemisë COVID-19.

“Kjo është rënia më e madhe e regjistruar ndonjëherë për zonën e OECD, dukshëm më e madhe se minus 2.3 për qind e regjistruar në tremujorin e parë të vitit 2009 në kulmin e krizës financiare”, njofton blloku ekonomik prej 37 anëtarësh.

Midis shtatë ekonomive kryesore të OECD-së, rënie më të madhe të PBB-së regjistruan Britania e Madhe më 20.4 për qind, e ndjekur nga Franca më 13.8 për qind, Italia më 12.4 për qind, Kanadaja më 12 për qind dhe Gjermania më 9.7 për qind.

PBB-ja e Shteteve të Bashkuara u tkurr më 9.5 për qind, ndërsa Japonia regjistroi tkurrje prej 7.8 për qind. Po ashtu edhe PBB e Eurozonës dhe BE-së shënoi rënie me 12.1 për qind, përkatësisht 11.7 për qind. /Telegrafi/

Lini një koment!