Sa kushton krijimi i një vendi të ri të punës në Kosovë?

Kur flitet për mundësinë e krijimit të vendeve të reja të punës, duke iu referuar analizave të ekspertëve të fushës së ekonomisë, kostoja e krijimit të një vendi të punës si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat del të jetë e lartë.

Në Kosovë, përgjithësisht mungojnë raporte që tregojnë për secilin sektorë se sa është kostoja për krijimin e një vendi të ri të punes. Për momentin, ekziston një analizë e organizatës D4D e realizuar në vitin 2016-të.

Kështu, sipas kësaj analize, për të krijuar një vend pune, Qeverisë i nevojiten përafërsisht 8 mijë euro. Por kjo shifër dallon varësisht nga sektori në të cilin bëhet investimi. Në bujqësi krijimi i një vendi të ri të punës llogaritet të kushtojë hiç më pak se 14 mijë euro.

Ndërsa në sektorin e ICT-së kostoja është shumëfish më e lartë, duke arritur shifrat prej 50 mijë eurosh. Madje në sektorin e ndërtimit kostoja e një vendi pune mund të arrijë 60 mijë euroshin.

Shumë vende me ekonomi të zhvilluara kanë politika të rëndësishme të trajnimit të punëtorëve, sidomos në fusha specifike. Kjo për vendin tonë paraqet problem pasi trajnimet kanë një kosto shumë të lartë dhe në mënyrë direkte ndikojnë në rritjen e çmimit në krijimin e një vendi të punës.

Për Kosovë, një prej mundësive më të përfolura është investimi në sektorin e bujqësisë. Edhe investimet në këtë sektor kanë një kosto të lartë. Llogaritet që kostoja për krijimin e një vendi të punës në sektorin e bujqësisë të jetë diku rreth 14 mijë euro, ndërkohë që paga mesatare llogaritet 3 mijë euro në vit. Tek ky sektor evidentohen disa avantazhe, pasi ka mundësi më të madhe të operimit, pasi nuk ka nevojë p.sh. si investim të bëhet blerja e tokës. /Buletini Ekonomik/