Shtyhet samiti i Forumit Ekonomik Botëror në Davos

Samiti i Forumit Ekonomik Botëror, i paraparë të mbahet në Davos të Zvicrës në muajin janar, u shty për verën e vitit të ardhshëm, për shkak të pandemisë COVID-19.

Samiti që mbledh udhëheqës të shteteve të botës, mbahet çdo vit në Davos, qysh nga viti 1971.

“Këshilla e ekspertëve është se ne nuk mund ta mbajmë [Samitin] në mënyrë të sigurt në janar”, tha përmes një deklarate Forumi Ekonomik Botëror.

Forumi e portretizon veten si adresën kryesore për mbledhjen e elitës politike dhe biznesore, me qëllim diskutimin e sfidave të globalizmit.

Grupi tha se vendimi për të shtyrë samitin “nuk është marrë me lehtësi, pasi nevoja që liderët globalë të mblidhen dhe të hartojnë shtegun e rimëkëmbjes” nga pandemia COVID-19, është “shumë urgjente”.

Forumi Ekonomik Botëror tha se do t’i bëjë publike datat dhe lokacionin e takimit të shtyrë pasi të krijohen kushtet e shëndetit dhe të sigurisë. /REL/