BQK tregon se pse u ankuan qytetarët ndaj bankave gjatë pandemisë

Në adresë të Bankës Qendrore të Kosovës kanë shkuar gjithsej 755 ankesa të konsumatorëve kosovarë ndaj bankave komerciale në vend, vetëm prej muajit janar të këtij viti e deri më tani. Këto ankesa lidhen direkt me disa shkelje të rregullave apo masave të vëna nga niveli qendror për bankat komerciale ndaj konsumatorëve në kohë pandemie.

“Gjatë periudhës së këtij vitit Banka Qendrore përkatësisht Divizioni i Ankesave ka shqyrtuar 755 ankesa ndaj Bankave Komerciale”, thonë nga BQK-ja.

Buletini Ekonomik mëson se një numër i madh i ankesave që janë bërë ndaj bankave komerciale në vend, lidhen me moszbatimin e masave të Qeverisë nga bankat për suspendimin e kredive ndaj klientëve, për një afat prej tremuajsh.

Reklama e sponzorizuar

Edhe Banka Qendrore e Kosovës ka konfirmuar për Buletinin Ekonomik se ankesat më të shpeshta të konsumatorëve ndaj bankave, për këtë periudhë kanë qenë rreth shtyrjes së kredive.

Mirëpo, në pyetjet rreth ndëshkimit të këtyre bankave, BQK-ja nuk ka japur ndonjë të dhënë të caktuar se sa bankave deri më tani u janë shqiptuar gjoba për shkeljet e bëra, e as vlerën e gjobave të shqiptuara.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës bazuar në legjislacionin në fuqi adreson shkeljet e evidentuara sikurse tek bankat e edhe tek institucionet tjera financiare që licencon, rregullon dhe mbikëqyrë. Varësisht prej peshës së shkeljes, ndjeshmërisë, ndikimin në sektor, etj., merren edhe masat ndëshkimore administrative”, ishte përgjigjja nga BQK-ja. /Buletini Ekonomik/