Lajm i mirë: Hiqet tatimi i dyfishtë me Shqipërinë

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë është aprovuar nisma për negocimin e marrëveshjes për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal lidhur me tatimin në të hyra dhe kapital ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se marrëveshja pritet të arrihet në shtator.

“MF-ja ka marrë me shumë seriozitet që të shtyjë përpara nënshkrimin e marrëveshjeve për eliminimin e tatimit të dyfishtë, me të gjitha vendet që Kosova ka shkëmbime tregtare si një vegël e domosdoshme për zhvillim ekonomik e posaçërisht tërheqjen e investimeve të huaja dhe stimulimin e bizneseve që kanë rezidencë në Kosovë ose zgjerohen jashtë vendit”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka bërë të ditur se deri më tani kanë nënshkruar 16 marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë me vende të ndryshme.

“Ndër to kemi edhe një marrëveshje të vitit 2014 me Shqipërinë, mirëpo gjatë zbatimit është parë se ka disa pengesa dhe disa nene janë me të vërtetë pengesë për zbatimin e tyre. Administratat e të dy vendeve kanë iniciuar që kjo marrëveshje duhet të plotësohet dhe të ndryshohet në mënyrë që të inkorporohen praktika më të mira të marrëveshjeve për eliminim të tatimit të dyfishtë”, u shpreh Bajrami.

Ajo ka thënë se në fund të shtatorit pritet të ketë një mbledhje të përbashkët të dy qeverive.

“Një draft marrëveshje e kemi gati. Ekipet do të fillojnë negocimin në terma më substancial. Andaj kërkoj nga ju që të aprovohet kjo nismë në mënyrë që të kemi një marrëveshje e cila do të jetë plotësisht e zbatueshme”, ka thënë Bajrami.