OEAK: Bujqësia do të vazhdojë të jetë një nga sektorët kyç të zhvillimit ekonomik në Kosovë

????????????????????????????????????

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar një forum virtual me ministrin e Bujqësisë, Besian Mustafa, ku janë diskutuar mundësitë për rritjen e mëtutjeshme të këtij sektori dhe potenciali i të njëjtit për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa, theksoi se ministria që ai drejton, momentalisht ka dy programe që ofrojnë përkrahje dhe likuiditet financiar për agrobizneset, përmes granteve apo subvencioneve, të cilat synojnë të nxisin zhvillimin e sektorit të bujqësisë e rrjedhimisht edhe të ekonomisë së vendit.

Ai potencoi se sfidat më të mëdha me të cilat agro-prodhuesit po përballen gjatë pandemisë COVID-19 vijnë nga rënia e shitjeve të produkteve bujqësore, e megjithatë u shpreh i kënaqur se ky sektor ka rritur eksportin në tregje ndërkombëtare gjatë kësaj periudhe.

Sipas ministrit, për të siguruar se bujqësia do të ketë zhvillim të vazhdueshëm, përveç dyfishimit të buxhetit për subvencione, po investohet edhe në aspektin e ujitjes. Ai theksoi se përmes një bashkëpunimi me Bankën Botërore një investim në krijimin e një master plani të rrjetit të ujitjes është në përfundim e sipër. Ky plan sipas tij, do të identifikojë zonat bujqësore të cilat kanë nevojë për ujitje.

Tutje, ministri foli edhe për planet për krijimin e një strategjie 7 vjeçare për zhvillimin e bujqësisë, ku shtoi se njëri ndër prioritet është edhe krijimi i fondeve për siguri bujqësore marrë parasysh shkatërrimet nga kushtet klimatike. Për fund ai shtoi se sektori i bujqësisë, ka potencial të madh dhe ndikim pozitiv në rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Fatmir Selimi, drejtor i programit AGRO të USAID, theksoi rëndësinë e bujqësisë për ekonominë e Kosovës duke përmendur ndikimet pozitive që ka ky sektor. Selimi potencoi se qasja e programit të cilin ai e drejton është prezantimi i teknologjive të reja bujqësore, fuqizimi i marrëdhënieve me partnerë strategjik dhe rritja e besimit të konsumatorëve lokal, regjional, dhe ndërkombëtarë në produktet kosovare.

Ai përmendi se Qeveria e Kosovës ka ndarë një fond prej tre milionë eurosh për subvencione, përmes të cilave synohet të rritet besimi i fermerëve në institucionet shtetërore, krijimi i kushteve më të mira për të bërë biznes, dhe promovimi i produkteve vendore përmes përdorimit të tyre brenda vendit. Sipas tij është vitale që të rritet vetëdija e rëndësisë të sektorit të bujqësisë si dhe të inkurajohen të rinjtë kosovar për tu bërë pjesë e tij pasi që bujqësia ka potencial të madh për zhvillim ekonomik shtetëror dhe vetanak.

Mark Wood, këshilltar i lartë në programin AGRO të USAID, foli për arritjet dhe transformimin rrënjësor që bujqësia në Kosovë ka pasur gjatë dekadës së fundit falë kontributit të projekteve të ndryshme ndërkombëtare siç është ai i Agjencisë Amerikane Për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Sipas tij, në mesin e këtyre arritjeve është ofrimi i farërave dhe plehut më të mirë për zhvillimin e praktikave bujqësore, si dhe ngritja e njohurive rreth standardeve bashkëkohore të bujqësisë, e cila mes tjerash ka ndikuar në ndryshimin e mentalitetit të bujqve rreth punës së tyre dhe përfitimit material nga bujqësia.

potencoi se ndryshimi i perspektivës negative për bujqësinë si sektor me pak potencial për të ardhura ka hapur dyert për rritjen e cilësisë së produkteve vendore, gjë që ka ndikuar në depërtimin e tyre në tregjet e huaja. Ai u shpreh i kënaqur se me këto ndryshime rrënjësore tregjet ndërkombëtare tani po kthehen nga Kosova për të përmbushur nevojat e tyre për produktet të cilat i ofron ky sektor. Sipas tij, fermerët dhe partnerët strategjik duhet të mbështeten më shumë nga Qeveria në mënyrë që të promovohet imazhi i Kosovës si shtet me potencial të madh dhe produkte bujqësore të cilësisë së lartë.