A janë duke u zbatuar marrëveshjet tregtare Kosovë-Shqipëri?

Në javën e tretë të shtatorit do të mblidhen në Shkodër qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë ku pritet të nënshkruhen disa marrëveshje të përbashkëta.

Dogana e Kosovës në Durrës, hidrocentrali në territorin shqiptar dhe linja hekurudhore po vlerësohen si marrëveshje të dobishme për dy shtetet.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherë edhe koordinatore për mbledhjet e dy qeverive, Albulena Balaj-Halimaj, ka thënë se marrëveshjet do të jenë në interes të dy palëve.

“Do të ketë marrëveshje të cilat janë në interes të dy palëve. Ato të cilat janë pak më gjigante se të tjerat janë Dogana e Kosovës, linja hekurudhore dhe po ashtu hidrocentrali që mund të ndërtohet në Shqipëri, e që do të jetë funksional për Kosovën. Pos këtyre do të ketë edhe marrëveshje të tjera, tashmë ministritë veç kanë filluar të dorëzojnë draft-marrëveshjet”, ka thënë Balaj-Halimaj për KosovaPress.

E zbatim konkret të këtyre marrëveshjeve po kërkojnë njohësit e fushës së ekonomisë në Kosovë.

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës thotë se këto projekte të përbashkëta do ta lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve, mallrave dhe do të rrisin profitet e bizneseve.

Po ashtu, ai thekson se duhet kombinuar resurset energjetike mes dy vendeve.

“Nëse ka një diskutim jo me ngarkesë politike, por të nivelit teknik dhe nivelit përmbajtjesor mundemi të jetësojmë disa prej ideve të moçme që kanë qenë e që janë të domosdoshme. Hekurudhat që do të rriste vlerën e Portit të Durrësit, këtë qarkullimin që e ka tani me transportin rrugor nuk e ka vlerën sepse është kosto më e madhe. Mirëpo me transportin hekurudhor sigurisht do të ishte një vlerë e shtuar për ekonominë e të dyja vendeve. Në të njëjtën kohë edhe hidrocentrali, ne kemi nevojë t’i kombinojmë burimet energjetike me rritë atë që njihet si rezervë në sistem që i ndihmon stabilitetit të furnizimit. Këtë drejtim them se duhet t’i shtohet mundësia që Shqipëria të investojë në një termocentral në Kosovë, apo dy qeveritë të investojnë në një termocentral, pastaj ishin kombinuar resurset, sidomos kur e kemi këtë rrjetin energjetik në funksion”, u shpreh ai.

E profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, vlerëson se fuqizimi i lidhjes energjetike Shqipëri – Kosovë, është shumë i rëndësishëm.

“Burimet energjetike në Shqipëri janë tërësisht nga uji, ndërsa nga Kosova janë nga thëngjilli, nëse kërkohet ndonjë këmbimin mes Kosovës dhe Shqipërisë të shohim sa është kjo racionale. Por ajo që dihet është se fuqizimi i lidhjes energjetike Shqipëri-Kosovë është shumë i rëndësishëm”, thotë ai.

Lini një koment!