Analizë: Sa ka fituar shteti deri tani nga koncesionimi i Aeroportit?

Aeroporti i Prishtinës është koncesionuar me 1 Qershor të vitit 2010.

Sipas të dhënave të ofruara për Buletinin Ekonomik nga Ministria e Financave, për 10 vite, Qeveria e Kosovës ka inkasuar nga taksa e koncesionimit 56.5 milionë euro.

Sipas marrëveshjes së koncesionimit, konzorciumi fitues “LIMAK” dhe “Aeroport de Lyon”, kishte ofruar që përgjatë 20 viteve të ardhshme të ndante plot 39.42% të qarkullimit (pra të hyrave të gjithmbarshme bruto) si formë kontributi tek Qeveria e Kosovës.

Në marrëveshje, taksa e koncesinomit është progresive, fillon me 18 për qind dhe përfundon me 55 për qind të të hyrave për shtetin e Kosovës, në vitin e 20-të sa edhe do të zgjasë koncesionimi.

Në Ministrinë e Financave thonë se të hyrat janë në përputhje me marrëveshjen e arritur me koncesionarin. Në kuadër të kësaj ministrie funksionon Departamenti Qendror për Partneritet Publiko-Privat, i cili e mbikëqyr koncesionimin e Aeroportit.

“Gjithsejtë deri më tani janë paguar 56,567,870 euro në emër të tarifës së koncesionit”, kanë thënë nga Zyra për Informim në këtë ministri.

Ndërkaq, sipas raportit “Koncesionimi i Aeroportit”, të bërë me 2015 nga Institutit “Riinvest”, pritjet janë që Qeveria e Kosovës do të inkasoj nga 20 milionë euro për vit. Kjo përllogaritje nënkupton se përveç një investimi prej mbi 100 milionë euro, për 20 vitet sa zgjatë koncesionimi, koncesionuesi do të ndajë 39.42% të qarkullimit të gjithmbarshëm të ANPsë. Nga kjo pritjet janë që për 20 vjet të hyrat e gjeneruara do të arrin në plot 400 milionë euro.

“Llogaritjet si këto nënkuptonin se krahas investimeve kapitale, koncesionuesi do të duhej të shumëfishonte përfitimin që Qeveria e Kosovës e merrte si dividendë para koncesionimit; nga 3 sa merrte më parë në mesatarisht 20 milionë për vit përgjatë 20 viteve të ardhshme. Për të arritur këtë përfitim, e që ndërlidhej me vet qarkullimin e ANP-së, koncesionuesi pra do të duhej të dyfishonte – në mesatare – edhe performancën e aeroportit përgjatë 20 viteve të ardhshme”, thuhet në raport.

Investimet në Aeroport ende në proces

Po ashtu, Limak, nëpërmjet marrëveshjes së koncesionimit, ishte zotuar të ndërtonte një terminal të ri me hapësirë prej 26.000 m2 , kullë të re të trafikut ajrorë, investime në pistë për akomodimin e aeroplanëve më të mëdhenj dhe vende të reja parkimi për 1750 makina.

Deri tani, Limak ka investuar mbi 100 milionë euro në ANP

Mirëpo, të dhënat e ofruara nga Departamenti Qendror Publiko-Privat i Ministrisë së Financave tregojnë se jo të gjitha investimet janë kryer. Zgjerimi i krahëve të taksi-rrugës, të dyja anët e zonave të RESA-s së pistës janë në ndërtim e sipër dhe do të përfundojnë me projektin “Zgjatja e Pistës”.

“Partneri Privat ka investuar 100.015.000 euro në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe këto investime janë në përputhje me Marrëveshjen PPP”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Ministrisë së Financave.

Ndryshe, Aeroporti është koncesionuar me 1 Qershor të vitit 2010. Qeveria e Kosovës asokohe shpalli fitues konzorciumin e kompanisë turke “LIMAK” dhe kompanisë franceze “Aeroport de Lyon”. Konglomerati turk “LIMAK” që zotëronte 90% të aksioneve të konzorciumit fitues për ANP, ishte i njohur për përfshirje në ndërtim, energji dhe cement; pra përvoja e kompanisë turke “LIMAK” në fushën e menaxhimit të aeroporteve ishte minimale në kohën e koncesionimit. Pjesa e mbetur prej 10% ndërkaq, ishte në zotërim të kompanisë franceze “Aeroport de Lyon” që sillte me vete edhe eksperiencën – proporcionale me pronësinë – në fushën e aeroporteve. /Buletini Ekonomik/

Lini një koment!