Gjermania kërkon sërish 25 mijë punëtorë në vit nga Ballkani

Qeveria gjermane ka miratuar një vendim për zgjatjen e rregullave të imigracionit deri në vitin 2023, për fuqi punëtore të pakualifikuar nga Ballkani Perëndimor.

Kjo lejon që qytetarët e Maqedonisë, Serbisë, Bosnjë e Hercegovinës, si dhe Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi, pavarësisht nga kualifikimet zyrtare të punësimit, të udhëtojnë në Gjermani.

Sipas Ministrisë gjermane të Punës dhe Politikës Sociale, shkruan Albinfo, risi e këtij vendimi është futja e një kuote prej 25 mijë punëtorësh në vit që vijnë nga Ballkani.

“Vazhdimi i rregullave për Ballkanin Perëndimor për tre vjet është i mirë për ekonominë gjermane. Disa industri, të tilla si ndërtimi, vazhdojnë të zgjerohen dhe kërkojnë punëtorë. Mungesa e stafit profesional në këto industri nuk duhet të ndalojë rritjen”, tha ministri i Punës, Hubertus Heil, përcjell Telegrafi.

Ai shtoi se ardhja e një fuqie punëtore të aftë është e mundur nëse nuk ka forcë të tillë punëtore në Gjermani ose Bashkim Evropian.

Rregulli i vjetër është në fuqi deri në fund të vitit 2020, dhe që nga hyrja e tij në fuqi ai ka provuar të jetë një mënyrë shumë e dobishme e migrimit të ligjshëm të punës.

“Rezultatet e vlerësimit të Institutit të Kërkimit të Tregut të Punës (IAB) janë gjithashtu pozitive. Ata treguan se 58 për qind e punëtorëve nga Ballkani Perëndimor janë në nivelin e punëtorëve të kualifikuar ose më shumë”, njofton Ministria e Punës.

Vendimi mbi rregullin e ri do të miratohet nga Parlamentit i Gjermanisë, i cili është në rend të ditës më 9 tetor.

Pas miratimit të tij, vendimi do të hyjë në fuqi më 1 janar 2021.

Lini një koment!