MSH-ja arsyeton çmimin 200 euro për testin PCR, thotë se është test i shpejt dhe rezultati del për një orë

Ministria e Shëndetësisë ka lëshuar një komunikatë për media pas raportimit se testi PCR në laboratorin privat në Prishtinë të licencuar për kryerje të testeve të tilla për COVID-19, po kushton 200 euro.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se testi PCR (genex covid test) i cili po kushton 200 euro, është test i shpejt, dhe rezultatet dalin për 45-60 minuta. E po ashtu ka njoftuar se testi normal PCR kushton 65 euro e ato serologjike sillen prej 15 deri 30 euro.

MSH-ja ka njoftuar se deri më tash janë licencuar 118 laboratorë për testime për COVID-19, prej tyre 116 për të kryer teste serologjike e dy për të kryer PCR. E për teste PCR ka njoftuar se po kryen momentalisht vetëm ai në Prishtinë, pasi laboratori në Lipjan nuk ka dëshmuar se mund të kryej testet në përputhje me standardet e kërkuara pasi që është inspektuar nga Inspektorati Shëndetësor.

Reklama e sponzorizuar

“Në institucionin privat shëndetësor që ofron teste molekulare, sipas informacioneve të siguruara, testi PCR kushton 65 euro, ndërsa testi tjetër PCR (genex covid test), rezultatet e të cilit jepen brenda 45-60 minutash deri në 200 euro. Është plotësisht në të drejtën e qytetarit nëse do të zgjedh të kryej një test serologjik apo PCR test sikurse edhe çmimin të cilin do ta paguaj. Asnjë institucion nuk e ka të drejtën që qytetarit t’i kërkojë të paguajë më shumë se çmimi i deklaruar dhe për të cilin duhet ta informojë paraprakisht. Me që MSh nuk i përcakton çmimet e këtyre shërbimeve, i ka inkurajuar qytetarët që nga fillimi i procesit që para se të testohen, të pyesin për llojin e testimit që do të bëjnë, rëndësinë dhe vlerën e tij, dallimet midis testimeve dhe, gjithashtu, për çmimin që do të paguajnë. U ka bërë thirrje që çdo vërejtje të argumentuar ta adresojnë tek Inspektorati Shëndetësor dhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës”, është thënë nga MSH-ja.

MSH-ja u ka bërë thirrje institucioneve private të licencuara të mos keqpërdorin situatën në dëm të qytetarëve dhe t’i informojnë ata para testimit me gjitha detajet e nevojshme.

Po ashtu ka thënë se IKSHPK-ja vazhdon të kryejë testime molekulare pa pagesë për qytetarët sipas kategorive të rekomanduara e prioritare siç janë:

 -Të gjitha rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive, klinikat e tjera dhe repartet në shërbim të pacientëve COVID19;

 – Pacientët e udhëzuar nga KPSH me infeksione të rënda respiratore;

 – Personeli shëndetësor me shenja dhe simptma infeksioni dhe personeli që ka pasur kontakt të afërt dhe të pambrojtur me persona të konfirmuar me SARS COV2;

 – Kontaktet e afërta të personit COVID19 pozitiv të cilët kanë shenja dhe simptoma ë COVID-19

 – Personat e moshuar dhe personat me sëmundje kronike (sëmundje të mushkërive, kancer, insuficiencë të zemrës, sëmundje cerebrovaskulare, sëmundje renale, sëmundje të mëlqisë, hipertesnion, diabet dhe gjendje imunokompromituese);

 – Shtetasit e Kosovës që udhëtojnë për trajtim mjekësor jashtë vendit me dokumentacion valid përcjellës mjekësor.

Po ashtu ka thënë se do të rritet numri i testimeve.

Ndaj çmimit 200 euro për testin PCR ka reaguar edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

“Të nderuar qytetarë. Kam pranuar dhjetëra ankesa nga ju, se njëra nga laboratorët e licensuar ka kryer shërbimin e PCR për Sars Cov 2 në vlerë prej 200 euro. Siç jeni të gjithë të njoftuar, AKK është duke e monitoruar këtë proces me kujdes, dhe posedon listën e çmimeve te secilit laborator te licensuar. Siç jeni të gjithë të njoftuar, AKK këtë shërbim e ka cilësuar si aktivitet ekonomik të interesit publik e rrjedhimisht interesit shtetëror. Tani, nëse laboratori në te cilin ju jeni ankuar ka vendosur çmim në vlerë prej 200 euro për test PCR dhe e ka deklaruar një çmim tjetër në AKK, ky laborator potencialisht ka bërë këto shkelje:

Mashtrim – vepër penale

Autoriteti mund të ushtroj kallxim penal ne prokurorinë speciale nëse është konsumuar vepra penale Mashtrim.

Ka vendosur AKK në lajthitje dhe ka ofruar informacione të pa sakta – personi përgjegjës denohet 1000-3000 euro, dhe ndërmarrja denohet deri ne 2% të qarkullimit vjetor.

Ka kryer shpërdorim të pozitës dominuese, mund të denohet deri në 10% të qarkullimit vjetor.

Autoriteti në javen ne vijim, mund ta përdor instrumentin ligjor, masat e përkohshme- mbyllje të veprimtarisë deri ne 6 muaj”, ka shkruar kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi në Facebook.