A i kreu LIMAK investimet në Aeroport sipas marrëveshjes së koncesionimit?

0
2

Kompania turke Limak, nëpërmjet marrëveshjes së koncesionimit të Aeroportit, ishte zotuar të ndërtonte një terminal të ri me hapësirë prej 26.000 m2 , kullë të re të trafikut ajrorë, investime në pistë për akomodimin e aeroplanëve më të mëdhenj dhe vende të reja parkimi për 1750 makina.

Deri tani, Limak ka investuar mbi 100 milionë euro në ANP

Mirëpo, të dhënat e ofruara nga Departamenti Qendror Publiko-Privat i Ministrisë së Financave tregojnë se jo të gjitha investimet janë kryer. Zgjerimi i krahëve të taksi-rrugës, të dyja anët e zonave të RESA-s së pistës janë në ndërtim e sipër dhe do të përfundojnë me projektin “Zgjatja e Pistës”.

“Partneri Privat ka investuar 100.015.000 euro në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe këto investime janë në përputhje me Marrëveshjen PPP”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Ministrisë së Financave.

Ndryshe, Aeroporti është koncesionuar me 1 Qershor të vitit 2010. Qeveria e Kosovës asokohe shpalli fitues konzorciumin e kompanisë turke “LIMAK” dhe kompanisë franceze “Aeroport de Lyon”. Konglomerati turk “LIMAK” që zotëronte 90% të aksioneve të konzorciumit fitues për ANP, ishte i njohur për përfshirje në ndërtim, energji dhe cement; pra përvoja e kompanisë turke “LIMAK” në fushën e menaxhimit të aeroporteve ishte minimale në kohën e koncesionimit. Pjesa e mbetur prej 10% ndërkaq, ishte në zotërim të kompanisë franceze “Aeroport de Lyon” që sillte me vete edhe eksperiencën – proporcionale me pronësinë – në fushën e aeroporteve. /Buletini Ekonomik/