Fondacionet për Shoqëri të Hapur zotojnë 1.5 milion dollarë për teste për COVID-19 në Kosovë

Fondacionet për Shoqëri të Hapur njoftuan sot se planifikojnë t’i dhurojnë 1.5 milionë dollarë për të ndihmuar institucionet e Kosovës në luftën kundër pandemisë COVID-19.

Këto fonde emergjente është thënë se do të shfrytëzohen nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur për të blerë rreth 100 mijë teste Real Time PCR për COVID-19, duke bërë të mundshme që në institucionet publike të rritet kapaciteti testues, përfshirë edhe në spitalet rajonale. Është një shtytje për institucionet publike që për momentin mund të bëjnë vetëm rreth 500 teste në ditë.

“Testimi është hap i rëndësishëm në asistimin e kontrollimit të pandemisë. Fitorja në luftën kundër COVID-19 është kyçe për të bërë të mundshme që populli i Kosovës të lulëzojë dhe prosperojë”, ka thënë Alexander Soros, zëvendëskryesuesi i Bordit të Fondacioneve për Shoqëri të Hapur.

“Pandemia i ka zbuluar pikat e ndjeshme të sistemit tonë të shëndetit publik dhe ka dërmuar ekonominë tonë. Ne shpresojmë se rritja e kapaciteteve testuese do të ndihmojë institucionet e Kosovës në menaxhimin e krizës shëndetësore dhe do të kontribuojë në hapjen e sigurt të ekonomisë”, ka thënë Luan Shllaku, drejtor ekzekutiv i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

Reklama e sponzorizuar