Pandemia ia shkakton Australisë rënien më të madhe ekonomike në histori

Australia ka hyrë zyrtarisht në recesion ekonomik për herë të parë në gati 30 vjet. Rënia në tremujorin e dytë ishte edhe më e madhe se kriza e Drepresionit të Madh të viteve të 30-a të shekullit të kaluar.

Ekonomia shënoi rënie rekorde prej shtatë për qind vetëm gjatë tremujorit të dytë, bëri të ditur Byroja Australiane e Statistikave.

Në baza vjetore, ekonomia u tkurr për 6.3 për qind. Kjo rënie nuk ka ndodhur në Australi që nga Lufta e Dytë Botërore, në vitin 1945, kur trupat ushtarake ishin kthyer në atdhe.

Reklama e sponzorizuar

Deri të mërkurën, Australia zyrtarisht e mbante një rekord 29-vjeçar për shmangie të recesionit, por masat kundër koronavirusit, përfshirë mbylljen e kufijve, kanë qenë goditje e rëndë për aktivitetin ekonomik të vendit të largët.

Recesioni përshkruhet si rënie e vazhdueshme e GDP-së gjatë dy tremujorëve njëri pas tjetrit dhe herën e fundit kur një gjë e tillë kishte ndodhur në Australi, telefonat ishin sa një tullë dhe interneti vetëm një projekt për hulumtim i një universiteti amerikan.