Zeka: Marrëveshjet ekonomike i japin Kosovës mundësi për tregti në BE

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka u deklarua për pritjet e takimit të 4 shtatorit në Washington, ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, nën ndërmjetësimin e SHBA-së.

Sipas Zekës, ky takim është mundësi e mirë për marrëveshje ekonomike që heqë barrierat teknike e politike për të bërë biznes.

“Takimi i Uashingtonit ofron një mundësi mirë për Kosovën dhe Serbinë që nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të arrijnë marrëveshje në fushën e ekonomisë e cila do të ndihmonte në tejkalimin e barrierave teknike dhe politike që pengojnë të bërit biznes ndërmjet dy vendeve dhe rrjedhimisht pengojnë edhe investimet e huaja”, tha Zeka.

Sipas tij, Kosova e Serbia e kanë tani mundësinë e zbatimit të marrëveshjeve për transportin hekurudhor, ajror e tokësor.

“Në të njëjtën kohë, palët kanë mundësi të përcaktojnë modalitetet teknike e zbatimit të marrëveshjeve parimore, respektivisht letrave të synimeve, të nënshkruara në fillim të këtij viti për vendosjen e transportit hekurudhor e ajror si dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore, të cilat do të ndihmonin në përmirësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave”, deklaroi ai.

Zeka tha se këto marrëveshje do i ndihmonin Kosovës për tregti në shtetet e Evropës dhe përfitime financiare nga SHBA.

“Kjo do të krijonte mundësi të reja për transportimin më efikas të mallrave nga Kosova në shtetet e Evropës. Në rast të marrëveshjeve të suksesshme dhe zbatimit të tyre në praktikë, Kosova dhe Serbia do të mund të përfitonin nga institucionet financiare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Zeka.

Në vazhdim Zeka tregoi se investimet do të fuqizonin rimëkëmbjen ekonomike. Sipas tij Oda Amerikane pret që vullneti për negociata do vijë në përfundim me marrëveshje, gjë e cila jep një shëmbëlltyrë më të mirë të rajonit tek investitorët amerikanë.

“Këto investime në vlera të mëdha do të ishin të një rëndësie të madhe jo vetëm për zhvillimin e infrastrukturës transportuese e energjetike, por edhe do të fuqizonin përpjekjet gjithëpërfshirëse për rimëkëmbjen ekonomike. Oda Amerikane është optimiste se vullneti i të dyja shteteve për të negociuar me njëra tjetrën do të konkretizohet me marrëveshje, duke bërë që të largohen perceptimet negative të investitorëve amerikanë dhe të tjerëve të huaj për këto dy shtete por edhe për shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, përfundoi Zeka. /Gazeta Blic/