Kur pritet të mbahet seanca për 10 përqindshin e Trustit?

Tërheqja e 10 përqindshit të pensioneve nga qytetarët varet nga miratimi i ndryshimeve ligjore në Kuvendin e Kosovës. Por, deputetët aktualisht janë në pushim deri me 15 shtator.

Skekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka thënë për Buletinin Ekonomik, se seanca e radhës pritet të jetë pas 15 shtatorit, varësisht prej vendimit që do ta marrë Kryesia e Kuvendit.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, thotë se ka autorizuar menaxhmentin e Trustit për tu bërë gati që të mundësohet tërheqja e 10 përqindshit të pensioneve nga qytetarët.

Reklama e sponzorizuar

Megjithatë, sipas saj ende ka edhe një kusht që duhet të arrihet, përcjell Buletini Ekonomik.

“Ligji duhet të kaloj në Kuvend në lexim të dytë. Për momentin mos miratimi i ligjit është e vetjma pengesë. Afate kohore nuk mund të japim, sepse nuk varet nga ne. MF ka kërkuar që Trusti të bëjë të gjitha përgatitjet, që terheqja të filloj menjëherë pas aprovimit të Ligjit”, thotë Bajrami.

Edhe në Trust në një njoftim për media kanë thënë se janë duke pritur këto ndryshime ligjore.

“Trusti është duke pritur miratimin e ndryshimeve ligjore në Kuvendin e Kosovës që do t’i mundësonin kontribuuesve aplikimin për tërheqjen e 10 %-shit. Deri më tani Kuvendi nuk e ka diskutuar ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale në Kosovë. Kujtojmë këtu se edhe nëse miratohen ndryshimet ligjore nga Kuvendi, Trusti është i obliguar të pres derisa ligji të hyjë në fuqi (nënshkrimin e ligjit nga Presidenti dhe publikimin në Gazetën Zyrtare)”, është thënë në njoftimin e Trustit, duke u shtuar se aktualisht Trusti është duke punuar në përgatitjen e infrastrukturës që do të mundësonte realizimin e aplikimit përmes internetit për tërheqjen e 10%-shit. “Kontribuuesit do të njoftohen me kohë për të gjitha detajet dhe për fillimin e këtij procesi”, thuhet në fund të njoftimit të Trustit Pensional të Kosovës.

Ndryshe, sapo të hyjë në fuqi ndryshimet ligjore, do t’i hapet rruga mundësisë që secili kontributdhënës t’i tërheq 10 për qind të kursimeve nga Trusti.

Por jo të gjithë qytetarët do të përfitojnë vërtetë nga kjo mundësi.

Gjysma e kontributpaguesve apo mbi 312 mijë persona kanë më pak se një mijë euro të kursyera.

Rreth 27% e kontributpaguesve apo afër 167 mijë persona mund të tërheqin mesatarisht 9 euro.

10% e kontributpaguesve (65,756 persona) mund të tërheqin mesatarisht 37 euro.

7% e kontributpaguesve (afër 51 mijë persona) mund të tërheqin mesatarisht mbi një mijë euro kursime. /Buletini Ekonomik/