Kush janë 12 milionerët e Kuvendit të Kosovës?

Legjislatura e shtatë e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka në përbërje gjithsej 12 milionerë. Bazuar në regjistrat për deklarimin e pasurisë, të publikuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit, pasuria e këtyre deputetëve fillon nga 1 milion euro, derisa ka edhe deputetë që zotërojnë pasuri deri në 700 milionë euro. Por, kush është deputeti që gjendet në krye të milionerëve të Kuvendit?

Tash e sa vite, Behgjet Pacolli, vlerësohet të jetë njeriu më i pasur në vend. Shtëpitë, tokat milionëshe, avioni privat, veturat, aksionet në shumë kompani e miliona euro para të gatshme nëpër institucione financiare, i mundësojnë atij që të jetë i pari në listën e zyrtarëve milionerë të vendit.

Bazuar në deklarimin e tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ai ka pasuri në vlerë rreth 700 milionë euro.  

Vetëm një tokë që Pacolli e ka jashtë vendit kushton mbi 7 milionë euro, derisa një nga shtëpitë që ka në pronësi ai kushton rreth 18 milionë euro.

Ai ka në pronësi edhe hotelin Swiss Diamond, vlera e të cilit llogaritet të jetë 42 milionë euro. Në total, vlera e pasurive të paluajtshme që posedon ai shkon në rreth 200 milionë euro.

Përveç veturave të shumta që zotëron, Pacolli ka edhe avion privat, vlera e të cilit llogaritet të jetë rreth 10 milionë euro.

Pasuria e ish zëvendëskryeministrit të Kosovës nuk mbaron këtu. Ai ka aksione në vlerë rreth 500 milionë euro në rreth 20 kompani, në disa prej të cilave ka aksione 100%.

Pacolli ka edhe miliona euro të kursyera në banka në Prishtinë. Vetëm në një prej këtyre bankave ai ka të kursyera mbi 4 milionë euro.

Të hyrat e tij vjetore sillen rreth pesë milionë euro. Këto para ai i merr nga Banka Ekonomike, Mabetex Holding, depozitat në bankë dhe Kuvendi i Kosovës.

Pasuri të majme ka edhe deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Abrashi. Ai ka në pronësi gjashtë parcela, tri shtëpi, një banesë, dy lokale dhe një villë, vlera e të cilave sillet rreth 2 milionë e 800 mijë euro.

Përveç pasurive të paluajtshme, ai është edhe aksionar në 17 kompani. Vlera e aksioneve që posedon Abrashi shkon diku rreth 3 milionë e 500 mijë euro.

Abrashi ka deklaruar se ka në pronësi edhe dy vetura kogja të shtrenjta. Veturat e tij kushtojnë rreth 113 mijë euro, derisa fëmijët dhe babai i tij kanë vetura që kushtojnë rreth 12 mijë euro.

Si para të gatshme në banka, deputeti i AAK’së i ka deklaruar rreth 540 mijë euro. Para të majme nëpër banka kanë edhe familjarët e tij. Babai i tij ka rreth 26 mijë euro, fëmijët 3 mijë e 300 euro, derisa rreth 30 mijë euro figurojnë në llogari të bashkëshorteve jashtëmartesore.

Por, pavarësisht pasurisë që ka, atij nuk i mungojnë edhe detyrimet financiare ndaj bankave. Abrashi ka thënë se ka kredi në vlerë mbi 1 milion e 500 mijë euro.

Ai merr edhe 360 mijë euro, si të hyra vjetore, derisa në fund të deklarimit ka treguar se i ka pranuar 3 milionë e 700 mijë euro nga shitja e një toke.

Një prej milionerëve që është pjesë e Kuvendit të Kosovës është edhe ish ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë, deputeti i AAK’së ka deklaruar se ka në pronësi një tokë në vlerë 1 milion e 500 mijë euro, një shtëpi që thotë se kushton 280 mijë euro dhe një banesë, vlera e të cilës sillet rreth 80 mijë euro.

Tek pasuritë e luajtshme, ai ka deklaruar dy veturat e tij në vlerë rreth 30 mijë euro, veturën e bashkëshortes që kushton gati nëntë mijë euro dhe veturën e fëmijëve në vlerë 16 mijë euro.

Ish ministri ka para të gatshme në banka 3 mijë euro, derisa bashkëshortja dhe fëmijët kanë para cash në vlerë afër 11 mijë euro.

Lekaj ka edhe detyrime financiare ndaj bankave. Në regjistrin për deklarimin e pasurisë, figuron se ai ka kredi në vlerë 75 mijë euro që e kishte marrë për blerjen e një banese, kohëzgjatja e së cilës është 10 vite.

Si të hyra vjetore, ai e ka deklaruar pagën që e kishte marr si Ministër i Infastrukturës, në vlerë 22 mijë euro.

Pjesë e listës së milionerëve të Kuvendit është edhe Fatmir Rexhepi.

Vetëm aksionet që ka në dy kompani e bëjnë milioner deputetin e LDK’së. Ai ka aksione mbi 1 milion euro në dy kompani.

Pasuria e tij nuk mbaron këtu. Rexhepi ka deklaruar se ka në pronësi bashkë me fëmijët edhe tri banesa, dy parcela dhe një shtëpi, që thotë se kushtojnë rreth 370 mijë euro.

Tek pasuritë e luajtshme, deputeti e ka deklaruar veturën e tij në vlerë 48 mijë euro, veturën e bashkëshortes që thotë se kushton 21 mijë euro, si dhe dy veturat e fëmijëve në vlerë 26 mijë e 500 euro.

Ai ka edhe para të majme të kursyera në bankat e vendit. Rexhepi thotë se i ka 93 mijë euro “cash”, dhe 533 mijë euro të tjera, në pronësi të përbashkët.

Të hyrat e tij vjetore sillen rreth 50 mijë euro, derisa të hyrat vjetore të bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, kapin vlerën rreth 40 mijë euro.

Edhe deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Jahja Kokaj, po del të ketë goxha pasuri.

Pasuritë e paluajtshme që ka në pronësi Kokaj, kanë vlerë mbi 1 milion euro.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Kokaj ka deklaruar se ka në pronësi shtëpi dhe bibliotekë në vlerë prej 480 mijë euro, shtëpi tjetër në vlerë 140 mijë euro, dy banesa në vlerë prej rreth 80 mijë euro secila dhe një dyqan në vlerë 380 mijë euro.

Si pasuri të luajtshme, ai ka deklaruar një veturë Toyota në vlerë 12 mijë euro, që thotë ta ketë blerë nga të ardhurat mujore dhe veturën e djalit në vlerë 4 mijë e 500 euro.

Në banka ai ka para të gatshme në vlerë prej 14 mijë euro, 43 mijë euro të tjera i ka bashkë me familjarët e tjerë dhe 30 mijë euro të tjera ka bashkëshortja e tij, derisa detyrime financiare ndaj bankave thotë se nuk ka.

Kokaj merr 111 mijë e 468 euro të hyra mujore nga Universiteti i Kuvajtit dhe 1 mijë e 460 euro nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si deputet.

Për gjithë pasurinë që ka, Kokaj në fund të regjistrit ka dhënë edhe një shpjegim se si e ka arritur.

“Fitimet me të cilat është arritë pasuria e lartëshënuar: Të ardhurat mujore janë siguruar nga diaspora: nga Universiteti Carbegie Mellon Pittsburgh, 1990-1992. Të ardhurat mujore nga Universiteti i Kuvajtit nga viti 1992-2019: + biletat e të gjitha udhëtimeve + mobilimi i banesës në mënyrë periodike + shkollimi i fëmijëve në të gjitha nivelet ishin të paguara + 3107 KD (9289 Euro) mujore”, thuhet në regjistrin e publikuar nga AKK-ja. 

Milioner është edhe deputeti nga radhët e Listës Serbe, Ljubinko Karagjiq. Vetëm një tokë që e zotëron, ka vlerë 1 milion e 300 mijë euro.

Përveç tokës, ai ka edhe një shtëpi në vlerë 100 mijë euro, apartament që kushton 60 mijë euro dhe mal.

Si pasuri të luajtshme, Karagjiq ka deklaruar veturën e tij që thotë se kushton 15 mijë euro.

Ai ka 2 mijë euro të gatshme në banka, derisa bashkëshortja e tij ka rreth 4 mijë euro. Bashkëshortja e tij ka edhe një kredi në vlerë 30 mijë euro.

Karagjiq merr 13 mijë euro të hyra vjetore. Të njëjtën shumë e merr edhe bashkëshortja e tij.

E për dallim nga këta deputetë që pothuajse të gjithë pasurinë e kanë në emër të tyre, janë edhe gjashtë deputetë që janë milioner me pasurinë e familjes.

Deputetja e LDK’së, Saranda Musliu, në regjistrin e pasurisë ka deklaruar një fabrikë në vlerë 6 milionë euro, që është në pronësi të babait të saj, një shtëpi në vlerë 300 mijë euro, një villë pushimore që kushton 200 mijë euro, dy banesa të cilat kushtojnë rreth 350 mijë euro dhe një tokë, vlera e të cilës sillet rreth 50 mijë euro.

Vetë Musliu ka në pronësi një veturë në vlerë 15 mijë euro, derisa babai i saj posedon gjashtë makina, të cilat kushtojnë 112 mijë euro.

Babai i Musliut ka edhe rreth 12 mijë euro para të gatshme në banka.

Si të hyra vjetore, Musliu ka deklaruar se merr 1 mijë e 400 euro nga Kuvendi i Kosovës dhe 600 euro nga një biznes familjar.

Edhe deputeti tjetër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëlzen Hajdini është pjesë e kësaj liste.

Gjashtë banesa, një lokal afarist, një tokë bujqësore dhe një shtëpi me truall që ka në pronësi bashkë me familjarët kanë vlerë mbi 1 milion euro.

Si pasuri të luajtshme, ai ka deklaruar një veturë në vlerë 7 mijë euro.

Hajdini ka edhe detyrime financiare ndaj bankave. Ai ka dy kredi në vlerë 18 mijë euro.

Të hyrat e tij vjetore sillen rreth 16 mijë euro.

“Ne pjesën e deklarimit të përbërjes familjare kam deklaruar vetëm anëtarët e familjes me të cilët jetoj në bashkësi familjare. Në këtë formular kam deklaruar vetëm të hyrat e familjes sime me të cilën jetoj dhe pronën familjare të përbashkët nga e cila do të trashëgoj pjesën time mbas ndarjes së kësaj prone”, ka sqaruar ai në fund të regjistrit.

Bazuar në deklarimin e pasurisë, milionere është edhe deputetja Valentina Bunjaku-Rexhepi. Në Agjencinë Kundër Korrupsionit, deputetja e LDK’së ka deklaruar se ka në pronësi të përbashkët tri lokale afariste në vlerë rreth 900 mijë euro dhe dy shtëpi në vlerë mbi 500 mijë euro.

Tek pasuritë e luajtshme, ka deklaruar veturën e saj në vlerë 10 mijë e 500 euro, veturën e bashkëshortit që kushton 9 mijë e 500 euro dhe një veturë të përbashkët, vlera e së cilës sillet rreth 4 mijë e 500 euro.

Bashkëshorti i saj është edhe aksionar në një kompani. Vlera e aksioneve që ka në pronësi sillet rreth 52 mijë euro.

Deputetja i ka 800 euro të gatshme në bankë dhe një kredi në vlerë 25 mijë euro, me kohëzgjatje pesë vite.

Të hyrat e saj vjetore sillen rreth 15 mijë euro.

Pasuri milionëshe ka edhe familja e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadanit. Vetëm tri troje që posedon babai i tij kapin vlerën e mbi 3 milionë euro.

Vetë Ramadani ka në pronësi një veturë në vlerë 15 mijë euro, që thotë ta ketë blerë nga kursimet, derisa bashkëshortja e tij ka një veturë që kushton pesë mijë euro dhe stoli ari në vlerë katër mijë euro.

Si para të gatshme, ai i ka deklaruar rreth 4 mijë euro, që i zotërojnë fëmijët e tij.

Të hyrat vjetore të Ramadanit sillen rreth 22 mijë euro, të cilat i merr si pagë dhe mëditje nga Kuvendi i Kosovës.

Në listën e milionerëve hyn edhe deputeti Veton Berisha. Pasuria që ka në pronësi bashkë me familjarët e kalon një milionëshin.

Berisha ka deklaruar pesë toka të babait në vlerë prej rreth 800 mijë euro, dy shtëpi në vlerë mbi 100 mijë euro, një pishinë publike që kushton 60 mijë euro dhe një banesë në vlerë 30 mijë euro.

Tek pasuritë e luajtshme, Berisha ka deklaruar veturën e tij në vlerë 8 mijë e 500 euro, që thotë se e ka dhuratë nga vëllau dhe veturën e bashkëshortes, që kushton pesë mijë euro.

Si para të gatshme, thotë se i ka rreth 1 mijë e 700 euro, derisa ka edhe një kredi në vlerë 8 mijë e 400 euro.

Berisha merr të hyra vjetore në vlerë gati 28 mijë euro, që i merr si pagë dhe mëditje nga Kuvendi.

Pjesë e listës së milionerëve të Kuvendit është edhe deputeti Xhavit Uka.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, deputeti ka deklaruar toka, objekte hoteliere dhe afariste në vlerë rreth 4 milionë euro.

Pasuria e familjes Uka nuk përfundon këtu. Ata kanë në pronësi edhe nëntë vetura në vlerë prej afër 80 mijë euro.

Uka ka rreth pesë mijë euro para “cash”, derisa i ka deklaruar edhe 10 mijë të tjera në pronësi të përbashkët.

Tek të hyrat vjetore ka deklaruar 2 mijë euro, që i merr si pagë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. /Express/

Lini një koment!