Shtetasit e Kosovës nuk përfitojnë nga programi i rindërtimit të objekteve të shkatërruara nga tërmeti

Shtetasit e Republikës Kosovës që kanë ndërtuar shtëpi banimi apo objekte biznesi dhe që u janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar në Shqipëri nuk do të përfitojnë nga programi i rindërtimit. Këtë fakt e ka bërë të ditur për KOHËN nënkryetari i Bashkisë së Durrësit që merret me procesin e rindërtimit, Florian Tahiri.

“Shtetasit e huaj, ku përshihen edhe ata nga Kosova, në bazë të ligjit nuk përfitojnë nga programi i rindërtimit për banesat apo bizneset e dëmtuara nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019. Ata duhej t’i siguronin banesat apo bizneset në kompanitë private të sigurimeve”, thotë Tahiri.

Numri dy i bashkisë Durrës thotë në vijim se shumë prej këtyre shtetasve kanë aplikuar, por nuk janë kualifikuar, duke mos bërë të ditur numrin e tyre. Por, sipas Tahirit, edhe nëse shtetasit e Kosovës nuk do të trajtoheshin me termin shtetas të “huaj”, ata nuk do përfitonin, ashtu siç nuk kanë përfituar shtetasit e Shqipërisë.

“Kushti kryesor është prona. Në momentin ku ka ndodhur tërmeti ata nuk kanë rezultuar të jenë rezidentë në banesat e tyre. Edhe qytetarët e Shqipërisë nuk përfitojnë dëmshpërblim për banesën e dytë apo të tretë, madje as për ndërtesat e biznesit”, deklaron Tahiri.

KOHA është përpjekur të kontaktojë me ministrin e Rindërtimit në Qeverinë e Shqipërisë, Arben Ahmetaj, por ai nuk është përgjigjur.

Ndërkohë, Këshilli Bashkiak i Durrësit, në mbledhjen e mbajtur më 31 gusht, ka miratuar disa vendime që kanë të bëjnë kryesisht me procesin e rindërtimit. Në këtë mbledhje është miratuar lista e përfituesve nga programi i rindërtimit në njësitë administrative Rrashbull e Katund i Ri, njësi këto të banuara me qytetarë me origjinë nga Kosova, por që janë vendosur aty që në dekadën e dytë të shekullit të kaluar dhe që kanë shtetësinë e Shqipërisë, si dhe të njësive nr. 1, 4, 5, Sukth, Ishëm të Bashkisë Durrës, që do të përfitojnë nga programi i procesit të rindërtimit për banesat individuale të dëmtuara nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019.

Lini një koment!