Kuçi: Prodhuesit do të përkrahen në kuadër të programit për rimëkëmbje ekonomike

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka vizituar kompaninë “Osa termosistem” në Rahovec, specializuar për prodhimin e këmbyesve dhe pajisjeve termo-teknike në lëmit: ftohje-ngrohje dhe ventilim, raporton Ekonomia Online.

Nga këtu ia ka garantuar mbështetje për prodhuesit vendës, që sipas ministrit do të përkrahen në në kuadër të programit për rimëkëmbje ekonomike

“Jemi këtu te fabrika “Osa Termosistem”, që është një prodhues me traditë dhe ka një gamë të gjërë te produkteve në shumë fusha të caktuara. Risi që pamë ka të bëjë me pajisjet që i duhen industrisë së ushqimit që janë më të domosdoshme për tregun e Kosovës”.

Reklama e sponzorizuar

“Është një kompani e suksesshme, profesionale që ka bërë emër jo vetëm ne Kosovë. Ne kemi ardhur ta shohim si po funksionon dhe për ta parë se çfarë mbështetje mund t’i japim në kuadër të rimëkëmbjes ekonomike”, tha Kuçi.

Selami Osa pronar i fabrikës “Osa termosistem”, tregoi veprimtarinë që merret kjo fabrikë, duke shtuar se në asnjë moment nuk janë ndalur gjatë pandemisë.

“‘Osa termosistem’ është e fokusuar në kërkesat e tregut, pra jemi duke e përcjellë zhvillimin ekonomik në prodhimin e pajisjeve dhe makinerive të industrisë ushqimore, duke filluar përpunimit të qumështit, pemëve dhe perimeve e kështu më radhë”.

“Unë e di që është gjendje e jashtëzakonshme shkak i pandemisë por që ne deri më tani nuk kemi pasur ndërprerje në prodhimin e të këtyre produkteve”, tha ai.

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, dha zotimin e përkrahjes si komunë, teksa kërkoi të njëjtën ta bëjë edhe Qeveria, raporton Ekonomia Online.

“Është një prodhues specifik, njëkohësisht edhe gjigant dhe është krenaria jo vetëm e Rahovecit por e gjithë Kosovës. Domeni i veprimtarisë është shumë i gjerë, ka produkte të domosdoshme dhe të nevojshme për fermerët e për familjarët tanë”.

“Ka produkte që i kërkon tregu i brendshëm dhe ai i jashtëm dhe ne si komunë do të qëndrojmë krah këtij gjiganti dhe do ta përkrahim me kapacitetet tona e që shpresoj që edhe Qeveria ta ndihmojë që t’i zgjerojë kapacitetet e t’i jap përparësi produkteve që rrallë kund prodhohen si këtu”, tha Latifi.

“Osa Termosistem” merret kryesisht me përpunimin e paisjeve dhe makinerive të industrisë ushqimore. Kjo fabrikë ka të punësuar mbi 70 punëtorë.